Lajme

Arrestohet personi që kanosi Rrahman Jasharajn

Policia e Kosovës

Është arrestuar nga Policia e Kosovës personi i cili dyshohet se kanosi kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharajn.

Ngjarja kishte ndodhur në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë gjatë kohës sa sindikalistët kanë qenë në takim me mësimdhënësit.

“Shkolla “Ismail Qemali”, Prishtinë 05.09.2022 – 11:40. Raportohet se viktima mashkull kosovar, është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar i cili ka tentuar ta sulmojë edhe fizikisht. I dyshuari është arrestuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Tutje, PK-ja ka njoftuar se me vendim të prokurorit, personi i dyshuar është dërguar në mbajtje.

Kujtojmë se menjëherë pas rastit, Policia e Kosovës ka nisur hetim për personin që ka kanosur Jasharajn.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, ka thënë për Shqip.com se ndaj këtij personi kanë nisur hetimet nën dyshimin për veprën penale “Kanosje”.

“Informacion shtesë: Ndërlidhur me rastin pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen përfshirë këtu edhe intervistimin e dëshmitarëve okular, me rekonamandimin e prokurorit të shtetit policia ka iniciuar një hetim ndaj një të dyshuari nën dyshimet për veprën penale “Kanosje”, tha Borovci.

Kurse, gjatë ditës së djeshme, Jasharaj ka njoftuar se greva do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet deri sa Qeveria të reflektojë ndaj kërkesave të tyre ose të ketë një dialog social me sindikalistët./Shqip.com