Lajme

Arrestohet për korrupsion ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici

Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici është arrestuar sot për korrupsion, disa ditë pas publikimit të një video skandali, ku ai kryente marrëdhënie seksuale në zyrë.

Burime të Top Channel thonë se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha masën pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Mësohet se ai është arrestuar në lokalin poshtë shtëpisë së tij në zonën e Vilave Gjermane.

Kujtojmë se Gjici u shkarkua nga detyra e kreut të bashkisë së Kukësit më 16 qershor nga Këshilli i Ministrave, pas një videoje, ku ai kryente marrëdhënie seksuale në zyrë me një vajzë.

Pas publikimit të videos, Gjici dha dorëheqjen nga detyra dhe me anë të një statusi në Facebook tha se kishte rënë pre e një kurthi, të “orkestruar” nga kundërshtarët e tij. Ai shtoi se me vajzën në video kishte marrëdhënie intime dhe se ndihej i  keq ardhur për tradhtinë ndaj njerëzve që i kishin besuar votën.

Gjici mori mandatin e dytë në Bashkinë e Kukësit, në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke siguruar 11,623 vota.

/Shqip.com