Arrestohet kamarieri në Novobërdë, dyshohet se ia dha shefit 400 euro të falsifikuara si pazar ditor

Është arrestuar një person në një fshat në Novobërdë, pasi që i njëjti kishte dorëzuar pazarin e ditës tek shefi i tij më para të falsifikuara.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vlera e parave ishte 400 euro apo ndryshe 8×50 euro.
“I dyshuari me iniciale (SH.J.) me datën 05.06.2022 derisa kishte punuar si kamarier në një kafiteri të një fshati të Novobërdës, në fund të orarit rreth orës 23:00 kishte dorëzuar pazarin ditor tek pronari në vlerë prej 400€, të cilat para dyshohet se ishin të falsifikuara”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit me urdhër të prokurorit të shtetit është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit dhe me pastaj është arrestuar i dyshuari i lartcekur me iniciale.

“I dyshuari i lartshënuar me veprimet e tij dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Falsifikim i Parasë” neni 296 paragrafi 1 , i kodit penal të RKS-së”, thuhet tutje në njoftim.
PK gjithashtu ka njoftuar se në cilësinë e të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas autorizimit është intervistuar i dyshuari (SH.J.) dhe pas përfundimit të intervistës me Aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë./Shqip.com