Arrestohen sulmuesit e gazetarit Valon Syla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë arrestuar tre të dyshuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Sulmi ndaj Sylës ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:30 në Prishtinë nga tre persona.
I pari i MPB-së tha se e përgëzon Policinë e Kosovës për profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë qytetarët.
“Pas një pune intensive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, shkroi ai në Facebook.
E në emisionin Pressing në T7, ku është i ftuar Syla për të rrëfyer ngjarjet e sulmit, u kumtua lajmi dhe Syla ishte i kënaqur dhe falënderues ndaj policëve të Kosovës.
“Faleminderit. Kam pasur sjellje korrekte me policinë pas sulmit. Faleminderit prej tyre dhe ministrit. Kjo tregon se kemi polici të shtetit dhe jo polici fetare që ndjell frikë në popull”, tregoi ai.
Duke folur në emisionin Pressing në T7, ai foli për mosreagimin e Presidentes Vjosa Osmani dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Unë muj mos me dashtë Prindonin. Por Presidentja është e krejt popullit. Nuk mund ajo për teka personale të mos reagojë. Është e krejt popullit”, tha ai.
Syla shton se BIK-u nuk ka kontroll ndaj qytetarëve dhe kritikon Naim Tërnavën.
“Sa i përket BIK-ut, ata nuk mund t’i kontrollojnë këto policitë fetare dhe grupet e dhunshme. Ai kur e pa atë në Prizrenin me Mercedesin, ai shkoi që të afrohet me këto grupet ekstremiste, sepse i duhen për vota në zgjedhjet e brendshme fetare. Ky është ai konformizmi që më shtyn të reagoj”, përfundoi ai.
/Shqip.com