Lajme

ARKEP: Deri sot nuk kemi pranuar ndonjë shkresë në lidhje me përjashtimin nga BEREC

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka dalë me një njoftim sa i përket pjesëmarrjes së tyre në BEREC.

Autoriteti në njoftim kanë theksuar se si pjesëmarrës me të drejta të barabarta në BEREC, deri më tani nuk ka pranuar asnjë shkresë ose vendim nga ndonjë Institucion i Bashkimit Evropian (BE) lidhur me këtë çështje.

“Sidoqoftë, përmes mjeteve të informimit publik dhe Komunikatës së publikuar nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së, ARKEP është njoftuar lidhur me anulimin e vendimit të Komisionit Evropian që lejon Kosovën të marrë pjesë në BEREC.

Megjithatë, me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, kjo nuk nënkupton përjashtimin e ARKEP nga BEREC-u. Përkundrazi, për të mos penguar pjesëmarrjen e ARKEP në punën e BEREC-ut, Gjykata e Drejtësisë ka vendosur që efektet e vendimit të Komisionit Evropian të zbatohen deri në hyrjen në fuqi të ndonjë marrëveshjeje të re pune të lidhur ndërmjet BEREC-ut, Zyrës së BEREC-ut dhe ARKEP”, thuhet në njoftim e lëshuar nga ARKEP.

Lexo edhe:
Kosova përjashtohet nga Organizata e Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike

ARKEP më tej ka njoftuar se që nga viti 2019 merr pjesë aktive në takimet e BEREC, si në nivelin teknik (10 grupe punuese të ekspertëve) ashtu edhe në atë të Bordit të Rregullatorëve.

Kujtojmë se, Shqip.com ka raportuar gjatë ditës se Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka vendosur që ta përjashtojë Kosovën nga pjesëmarrja në  Organizatën e Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike (ORECE).

Vendimi i kësaj gjykate, doli të jetë në favor të Spanjës pasi e njëjta potencon se Komisioni Evropian nuk ishte kompetent për të lejuar pjesëmarrjen e Kosovës në grupet punuese të ORECE-së duke thënë se funksioni i këtij organi është vetëm kontrollimi i funksionimit të duhur të rregullores.

/Shqip.com