Lajme

Arifi: Tërheqja e Rusisë nga Këshilli i Evropës mundësi ‘e artë’ për anëtarësimin e Kosovës

Profesori universitar për Integrime Evropiane, Dritëro Arifi

Tërheqja e Rusisë nga Këshilli i Evropës i hap Kosovës rrugë për anëtarësim.

Kështu ka pohuar profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifin një prononcim për SHQIP.com, ku ka thënë se kjo është mundësi e artë për Kosovën.

Ai tha se tashmë nuk ka ndonjë shtet të fuqishëm që mund të refuzojë Kosovën.

“Kosovës i është lehtësuar puna jashtëzakonisht shumë, pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës. Tashmë në Komitetin e Ministrave dhe në Asamble të Këshillit, ku Kosovës i duhej 2/3 e votave nuk ka ndonjë vend të fuqishëm, i cili mund ta refuzojë kërkesën e vendit tonë për pranim në këtë këshillë”.

Ai ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë këtë situatë edhe pse fokusi është tek lufta në Ukrainë.

“Pas këtyre rrethanave që janë duke ndodhur në Ukrainë dhe përjashtimin e Rusisë, Kosova mund dhe duhet të shfrytëzojë këtë situatë, pasi në të ardhmen nuk dihet se si do të rrjedhin proceset në Evropë dhe jashtë saj. Është situata shumë e favorshme por edhe pak e vështirë pasi fokusi nuk është Kosova, mirëpo ne duhet që ta imponojmë që të jemi në agjenten e Këshillit për pranim”.

Arifi ka shtuar se Kosova në aspektin ligjor i përmbush kërkesat më mirë se disa vende anëtarë.

Mirëpo, ai tha se në këtë proces Qeveria nuk është duke bërë mjaftueshëm.

“Qeveria nuk është duke bërë mjaftueshëm, pasi duhet që të loboi më tepër, të mbajë takime dhe të takohet me sa më shumë deputet, përfaqësues të shteteve anëtare të cilat mund të përshpejtojnë procedurën”.

Ai me tej, tha se Qeveria duhet të formojë një grup të veçantë  që të mirët vetëm me anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill.

Ndryshe, Rusia është larguar nga Këshilli i Evropës zyrtarisht të martën.

Këshilli i Evropës kishte pezulluar anëtarësimin e Rusisë më 25 shkurt, një ditë pasi ajo pushtoi Ukrainën. Të hënën, kryeministri ukrainas Denys Shmygal i kishte kërkuar Këshillit të dëbonte Rusinë./SHQIP.com