Lajme

Apeli i GJKKO nxjerr nga qelia Jamarbër Malltezin, nuk ndryshon masa për Berishën

Apeli i GJKKO-së ka liruar nga qelia dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

“Gjykata shpalli vendimin duke miratuar për Berishën dhe duke ndryshuar për Jamarbër Malltezi duke caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Ndërsa ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për Sali Berishën, detyrim me paraqitje të hënën e parë dhe të hënën e tretë të çdo muaji dhe ndalim të udhëtimit jashtë Shqipërisë.

Vendimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

–          Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B.

–          Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë:

–          Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.

–          Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.

–          Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë.

/Shqip.com