Anëtari i grupit të ekspertëve në dialog distancohet nga qëndrimi për hapjen e arkivave të UÇK-së

Anëtari i grupit të ekspertëve të delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinsë, Robert Muharremi, është distancuar nga qëndrimi i kryenegociatorit, Besnik Bislimi, lidhur me hapjen e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Muharremi tha se këto deklarata dëmtojnë përpjeket e delegacionit të mëparshëm që UÇK të mos përfshihet në asnjë mënyrë në diskursin rreth personave të zhdukur.
“Si pjesëtar i grupit të ekspertëve në mbështetje të delegacionit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, personalisht dhe profesionalisht distancohem nga qëndrimi i delegacionit lidhur me arkivat dhe përfshirjen e UÇK në diskursin për personat e zhdukur”, ka shkruar Muharremi në Facebook.
Tutje, Muharremi ka vlerësuar se hapja e arkivave të UÇK-së ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Serbisë për të ndryshuar narrativën e “fajtorëve” për personat e zhdukur dhe për ta barazuar UÇK-në me Serbinë.
Ndryshe, të enjten, kryenegociatori i delegacionit kosovar, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në takimin trepalësh me Serbinë dhe Bashkimin Evropian, janë dakorduar që t’i hapin arkivat shtetërore lidhur me UÇK-në./Shqip.com