Analiza e ujit në Han të Elezit: Prezente baktere të gjalla mbi normat e lejuara

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se janë gjetur baktere të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale në ujin e pijes së fshatit Gorancë të Hanit të Elezit ku qindra qytetarë morën trajtime për shkak të ujit.
Ndërsa, nga instituti kanë bërë të ditur se mostrat e ujit që janë marrë për analiza fiziko-kikime në dy fshatra të Hanit të Elezit, kanë rezultuar në përputhshmëri me standardet e parapara me UA 16/2012.
“Për analiza fiziko-komike dhe bakteriologjike janë marrë mostra në fshatin Gorancë, tek rezervoari kryesor i cili futet me rënie të lirë në rrjetin shpërndarës të fshatit dhe në disa shtëpi private që furnizohen me ujë nga ujësjellësi lokal i fshatit, të cilat janë analizuar në Qendrën Laboratorike Testuese në IKSHPK-së. Dy mostra të ujit të marra në fshatin Seqishtë dhe Gorancë me datë 11.07.2022, sipas aspektit fiziko-kimik janë në përputhshmëri me standardet e parapara me UA 16/2012”.
“Nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale. Nga mostrat e fecesit të rasteve simptomatike janë izoluar E.coli Enteroaggregative (EAEC) dhe Norovirus GI/GII”.
Të gjitha rastet ishin nga fshati Gorancë dhe kishin simptomatologji të njëjtë me: ethe, temperaturë, kokëdhembje, mundim, vjellje dhe barkqitje.
Nga banorët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nuk ka të hospitalizuar dhe nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes./SHQIP.com