Ambasadori Rohde për targat: Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat tona

Marrëveshjet e Brukselit duhet të respektohen e të jenë në përputhje me veprimet e ndërmarra. Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM duke e respektuar afatin prej 12 muajsh, siç parashihet në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.
Kështu ka deklaruar sot, përmes Twitterit, ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.
Ai ka shkruar se zyrtarët e BE-së kanë qenë të zëshëm se shteti i Kosovës duhet të dëgjojë kërkesat që vijnë nga jashtë.
“Ne gjithashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm për një periudhë më të gjatë tranzicioni (12 muaj në total) siç parashikohet në marrëveshjen në fjalë, gjithashtu për të zgjidhur çështjet teknike të mbetura në mënyrë pragmatike. Ne ende mendojmë se këshillat tona duhet të ndiqen”, ka shkruar Rohde.
Ndërsa ka bërë thirrje që të depërshkallëzohet situata, duke informuar serbët që jetojnë në Kosovë se përdorimi i targave RKS është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar edhe nga pala serbe.
“Por unë gjithashtu do të doja të shihja përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzimin. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë realitetin se duhet të përdorin targa të Kosovës”, thekson ambasadori gjerman, Rohde.
Kujtojmë se sot ka hyrë në fuqi vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës, që ka të bëjë me qortimin ndaj atyre që nuk i kanë konvertuar targat në RKS.
Sipas njoftimit të javës së kaluar, Qeveria e Kosovës, pas datës 21 nëntor do të fillojë më shqiptimin e gjobave për të gjithë ata që kanë targa KM e që nuk i respektojnë ligjet në fuqi.
/Shqip.com