Lajme

Ambasadori gjerman për ndalimin e hyrjes së boksierëve kosovarë në Serbi: Ky shembull i trishtueshëm i Ballkanit të mbyllur

Ambasadori gjerman në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, tha se ndalimi i hyrjes së ekipit të Kosovës në Boks në Serbi, është shembull i trishtueshëm i Ballkanit të mbyllur dhe jo të hapur, transmeton Shqip.com.

Përmes një postimi në Twitter, Rohde, citoi zëdhënësin e Bashkimit Evropian i cili kishte thënë se pajtimi afatgjatë mes shoqërive fillon me shkëmbime intelektuale, kulturore e sportive.

“Siç tha dje një zëdhënës i BE-së, pajtimi afatgjatë midis shoqërive fillon me shkëmbime intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbime të tilla janë thelbësore për ndërtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë. Politizimi i sporteve nuk është kurrë një ide e mirë. Parandalimi i pjesëmarrjes së boksierëve të Kosovës në kampionatin botëror shkon në drejtim të kundërt. Ky është një shembull i trishtueshëm i Ballkanit të mbyllur dhe jo të hapur”, shkroi Rohde në Twitter.

Ndryshe, të shtunën, ekipi kosovar i Boksit nuk është lejuar të futej në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që po mbahet në Beograd.

Delegacioni i boksit i Kosovës i përbërë nga tre boksierë, sekretari i Federatës dhe selektori nuk u lejuan të futeshin në Serbi në tri tentimet e tyre./SHQIP.com