Ambasada ruse në Shqipëri reagon për incidentin që ndodhi në Gramsh

Ambasada Ruse në Shqipëri ka njoftuar se nuk ka marrë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për spiunazh.
Siç ka raportuar Euronews, sipas diplomatëve rusë në Shqipëri, i është dërguar një shkresë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për t’i vënë në dijeni për detajet e ngjarjes.
“Ambasada nënvizon se i ka dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Misioni diplomatik është ‘ankuar’ se po informohet për incidentin e ndodhur vetëm nga mediat.
Dy shtetas rusë dhe një ukrainas janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pasi ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarë shqiptarë që ndodheshin në uzinë.
Në dëshminë e tyre, të dyshuarit kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Tashmë të arrestuarit akuzohen për dhënie të informacioneve sekrete dhe sigurim të informacioneve./Shqip.com