Ambasada e SHBA-së për marrëveshjen për rrymën: Qytetarët përfitojnë kur Kosova dhe Serbia angazhohen me kreativitet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e në Kosovë ka thënë se nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për planin e energjisë përfitojnë të dy popujt.
Kjo është thënë përmes një postimi në Twitter nga kjo ambasadë.
Po ashtu, në këtë postim thuhet se SHBA-ja, kërkon nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në dialog.
“Marrëveshja e sotme e planit të energjisë është provë se kur Kosova & Serbia angazhohen me kreativitet dhe fleksibilitet, qytetarët në të dy vendet përfitojnë. SHBA u kërkon të dy vendeve të vazhdojnë të mbështeten në këtë sukses nëpërmjet angazhimit urgjent dhe të hapur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi kjo ambasadë.
Kosova dhe Serbia sot gjatë ditës ka nënshkruar marrëveshje për energjinë elektrike.
Kjo marrëveshje mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullator të Kosovës.
Energjia e shpenzuar nga konsumatorët në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, llogaritet të jetë çdo vit rreth 12 milionë euro.

Kurse, borxhi i banorëve të komunave serbe iu është faturuar banorëve të pjesës tjetër të vendit në vlerë prej 3.5% më shtrenjtë.
Kjo formë e funksionimit institucional u ndalua nga Gjykata e Apelit në vitin 2017.
Megjithatë, në vitin 2021 u autorizua Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) të shfrytëzojë të hyrat vetanake dhe të paguajë energjinë elektrike në atë pjesë të vendit./Shqip.com
