Ambasada e Francës në Kosovë: Nuk e harrojmë asnjëherë Masakrën e Reçakut, drejtësia të vihet në vend

Ambasada e Francës në Kosovë ka përkujtuar në 23-vjetorin e Masakrës së Reçakut 45 civilët e vrarë, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada deklaroi se nuk do ta harrojnë asnjëherë këtë masakër dhe se drejtësia duhet të vihet në vend.
“23 vjet më parë në Reçak u vranë 45 civilë të pafajshëm. Drejtësia duhet të vihet në vend. Ne nuk do ta harrojmë këtë masakër dhe viktimat e saj”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Ndryshe, më 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak, u vranë dhe masakruan 45 shqiptarë që ishin të paarmatosur.
Dëshmitarët kanë treguar se aty rreth orës 06:30, forcat serbe me artileri të rëndë filluan të bombardojnë fshatin.
Ndërkaq, këto krime të kryera i kishte dokumentuar edhe kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker./SHQIP.com