Lajme

Ambasada amerikane: Koha të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka Nimani dhe Këshilltari për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka kërkuar që të zbatohet të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kësaj ambasade, institucionet e pavarura të drejtësisë në Kosovë janë jetike për demokracinë e saj.

“Është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në postimin e Ambasadës në llogarinë zyrtare në Twitter.

Këtë deklaratë ambasada amerikane e ka bërë pasi ka njoftuar për takimin që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka – Nimani, ka zhvilluar gjatë vizitës në SHBA me zv.ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.

Ambasada e Amerikës në Kosovë

Gjatë këtij takimi, ata kanë diskutuar rreth gjyqësisë kushtetuese në Kosovë.

Për këtë takim detaje kanë dhënë edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Përmes një njoftimi për media nga kjo Gjykatë thuhet se kryetarja Caka e njoftuar Swartz me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese.

Po ashtu në njoftim thuhet se palët në vazhdim kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat më efektiv për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e konsolidimit të sundimit të së drejtës në çdo vend demokratik.

Gjatë qëndrimit në Uashington, kryetarja Caka – Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias./SHQIP.com