Kulturë

Albana Beqiri / Beni

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

BENI

Edhe sot e kësaj dite, pas aq shumë vitesh, kur fëmijëria ngjason me një stacion të largët që treni i jetës e ka lënë mbrapa prej kohësh, e kap veten duke kërkuar me ngulm skutave të kujtesës për të sjellë në përfytyrime fytyrën e Benit, shokut tim të vetëm të fëmijërisë.

Asnjë copëz sado e vogël imazhi prej tij nuk ka mbetur në mbamendjen time, fytyra e tij është e patrajtë, një pikë e vogël në oqeanin e errët të harresës, e unë nuk kam as idenë më të vogël se ç’bëhet me Benin apo sesi ka shkuar jeta e tij, asnjë ide nuk e kam as se nga t’ia nis kërkimeve në kujtesën time të hallakatur, di vetëm se dua patjetër ta kujtoj Benin, dua patjetër t’ia kujtoj tiparet e fytyrës dhe të risjell në vesh të qeshurën e tij buçitëse.

Besomëni, u gëzova që e mbakam mend se Beni atëherë kur ishim shokë të ngushtë dhe të pandarë paska patur një të qeshur buçitëse, mund të jetë një fillim i mirë ky në kërkimin për të rigjetur shokun e vetëm që pata e që ma zbukuroi fëmijërinë.

E hallakatur brenda atyre labirintheve të stërzgjatur të kujtesës, rri dhe ia pranoj vetes: më paska marrë malli për Benin, për djaloshin me sy të mëdhenj e të kaltër si qielli, e sheh, ja ku më në fund e kujtova një tipar të tij: sytë e mëdhenj e të kaltër si qielli!

Po pra, nuk më vjen turp ta pohoj, më paska marrë vërtet malli për djaloshin me sytë e kaltër si qielli, faqet e së cilit krijonin dy gropëza të vogla sa herë ai qeshte… ja edhe një tipar tjetër: gropëzat në faqe! Ia pohoj sërish vetes: më ka marrë malli për Benin, djaloshin me sytë e mëdhenj e të kaltër si qielli, të cilit sa herë qeshte, gjithmonë i formoheshin dy gropëza të lezetshme në faqe, u pa shpejt se ishte një qëmtim i kotë, pasi këtë herë në përfytyrimin tim u vijëzuan vetëm dy gropëza të hijshme në faqe dhe dy copëra të prera nga qielli që kishin pikturuar dy sy të mëdhenj, asgjë më shumë se kaq, kujtesa më ngeci këtu pa sjellë asnjë tipar tjetër të fytyrës së Benit.

Unë këmbëngula të kujtoj e ajo, kujtesa ime e përlyer në mall, këmbënguil për të kundërtën: të harrojë! “Kujtesë harraqe”, shfryj me vete dhe dal në dritare e ndërsa mbështes bërrylat në pravaz, sytë mbesin qiellit të përflakur nga kujtimet që ngjajnë si zogj shtegtarë, shoh vetëm hijet e tyre që largohen e largohen, derisa shndërrohen në një pikë në horizont, e cila edhe ajo pas ndonjë minuti do të zhduket krejt, zaten asgjë për të të habitur nuk ka këtu, është vjeshtë, tamam koha e shtegtimit drejt viseve të ngrohta.

Ia kam ngulur sytë një pike në horizont dhe e vështroj si e shituar nga zana, nga ngulmimi i tepërt sytë protestojnë, nxjerrin si xixa të vogla (mbase janë xixëllonjat e mallit për Benin) dhe mua më shfaqen çfarëdo lloj përfytyrimesh e imazhesh, të shtrembëruara e të shpërfytyruara, aq shumë të ngjashme me piktura posmoderne.

Asnjë prej atyre imazheve nuk ngjason me Benin, “po ku dreqin e di ti si është dukur Beni”?, pyes veten dhe bëj edhe një përpjekje titanike për të kujtuar diç më shumë se e qeshura e tij buçitëse, sytë e mëdhenj e të kaltër si qielli dhe gropëzat që ia hijeshonin faqet sa herë qeshte, por më kot, kujtesa ka marrë në thua dhe ka harruar të kujtojë, fytyrën e Benit ia ka falur bujarisht harresës dhe gjithçka që kam ditur për mikun e vetëm të fëmijërisë tani ka ngecur diku degëve të pemës së madhe të harresës, shpon e ther, por nuk del dot, ka mbetur aty si një kujtim harrestar.

Meqë me kujtesën time nuk ja dola dot ta bind të tregohej bujare, provova të gërmoj në një tjetër lloj kujtese, atë fotografike, gërmova mes fotove të shumta të albumeve fotografike e te fotot e fëmijërisë nuk e gjeta askund të fiksuar fytyrën e Benit. Ndoshta edhe do të isha përlotur nga malli, apo edhe nga inati pse nuk ja kisha dalë dot të ushqeja disi nevojën për të hequr mallin për Benin, nëse në ato momente të mos hynte në dhomë ime motër, Nora. Pa u përshëndetur mirë e pyeta: a të kujtohet Beni, shoku im i vetëm i fëmijërisë?

Nora më hodhi një vështrim mbushur plot habi e pastaj kur e pa se seriozisht po prisja përgjigje, m’u përgjigj shumë shkurt: po!

-kujtoma pak sesi ngjante,- unë nuk u tërhoqa, nuk më linte malli për Benin dhe dëshira për të ditur se nga bëhej dhe sesi sot pas aq shumë vitesh mund të ishte jeta e tij, mbase doja vetëm një kishë ku të falesha, pra një sup ku të mbështetesha e të ndaja të gjitha brengat e problemet si atëherë në fëmijëri.

-nga ta di unë, nuk e kam takuar asnjëherë, vetëm ti e ke takuar shokun tënd imagjinar,- ma priti e patrazuar Nora.

/Shqip.com