Albana Beqiri / Adoleshentja

Shkruan: Albana Beqiri
ADOLESHENTJA
E njohu menjëherë. Pas fytyrës së atij të panjohuri që ishte ulur përballë saj në trenin që po e largonte prej Romës, me të parën identifikoi tiparet e djalit të dikurshëm pas të cilit në adoleshencën e saj të trazuar, ishte dashuruar çmendurisht pa asnjë shkas dhe tmerrësisht shumë, por siç u pa më vonë krejt pa shpresë, se, edhe pse thonë se shpresa vdes e fundit, në këtë rast ajo kishte vdekur e para dhe dashuria kishte dhënë shpirt pas saj. Kishte pothuaj një jetë njeriu që nuk e kishte parë, gjithçka nga ai zjarr i dikurshëm i dashurisë së pashpresë të Blertës ishte shuar me kohën që kalonte dhe meqë iu desh ta vërtetonte në kurrizin e saj thënien se “koha shëron plagët”, kishte harruar madje, se ai kishte ekzistuar ndonjëherë.
“Po ku dreqin ma solli fati ta shoh pas kaq shumë e shumë vitesh dhe pikërisht në këtë kabinë treni në të cilën hipa për t’i ikur gjithçkaje?”, pyeti në heshtje, ende pa e marrë veten nga habia e hutia e atij takimi që për ndonjë arsye që ajo nuk e dinte, Zoti kish bërë të ndodhte kur Blerta nuk e priste më, por kjo nuk e ndalonte që ashtu me nge e gati pahetueshëm të vërente fytyrën e burrit që dukej se as që e kishte haberin se kush ishte gruaja përballë tij. Nuk ishte shumë për t’u habitur që ai të mos e dinte kush ishte Blerta, e meqë tani, në këtë moshë e në këtë fazë të jetës nuk lëndohej më as nga pësimet e as nga humbjet e së shkuarës, e pranoi lehtësisht se, e vërteta e hidhur që aso kohe nuk e kishte pranuar asnjëherë (në të 16-tat e saj) ishte se ai në të vërtetë, asnjëherë nuk e kishte pasur idenë se kush ishte Blerta.
“Qenke plakur”, iu drejtua në heshtje burrit të cilit nuk i lëvizte asnjë muskul i fytyrës nga prania e saj që ulërinte aty përballë tij, ulërinte me mllefin e viteve që kishte çuar dëm duke e dashur pashpresë, “qenke plakur Agron” (emrin nuk ia kishte harruar asnjëherë, dhe, edhe pse kishte më shumë se 30 vjet që as kur ishte atje e as kur kthehej në vendlindje si emigrante, nuk e kishte ndeshur qoftë edhe një të vetme herë nëpër rrugët e Tiranës, emri i tij kishte mbetur nuk e di pse në kujtesën e Blertës si një trastë e varur diku në hapësirë, pa e ditur pse). Kishte shtuar disa kilogramë të mirë që nga koha kur kishte qenë djalë i ri, nga ata kilogramë për të cilët babai i saj i ndjerë thoshte se janë mulla që një mashkull e bëjnë burrë të vërtetë. Mbi flokët të cilët dikur i mbante të ngritura përpjetë sikur kishte rënë një puhizë bore, e cila vetëm sa ia kishte shtuar hijeshinë që i ishte pjekur nga vitet, ndërsa sytë… ah sytë e tij që dikur Blertën adoleshente e linin pa gjumë, kishin mbetur po ata: tmerrësisht tërheqës në atë vorbullën përpirëse të së gjelbrës ndriçuese.
Burri i panjohur, emrin e të cilit për ndonjë arsye krejt pa kuptim kujtesa e saj e kishte bartur me vete si ndonjë ngarkesë të panevojshme, edhe pse nuk e kishte parë prej më shumë se 30 vitesh, qëndronte para saj krejt i qetë, ashtu si e kishte njohur edhe atëherë kur zemra i rrihte fort për të, aq fort sa dukej se në çdo çast kishte rrezik se do i dilte nga kraharori. Nuk e dinte as vetë pse, asnjëherë nuk mundi ta kuptonte e aq më tepër t’ia shpjegonte vetes pse atëherë, kur ishte një adoleshente bukuroshe dhe e dalldisur nga dashuria, ai nuk e kishte vërejtur praninë e saj që ulërinte e tëra nga dashuria për të dhe nga nevoja e çuditshme që ai ta vërente me patjetër? Kalonte çdo ditë para shtëpisë së Blertës, pothuaj në të njëjtën orë, koha kur nga puna merrte rrugën për shtëpi dhe ajo një adoleshente e trazuar nga vrulli i moshës, hormonet dhe nga ajo ndjesi përvëluese që me të drejtë ose jo e quante dashuri, ku ishte e ku nuk ishte në atë orë mobilizohej që të qëllonte si krejt “rastësisht” në shtëpi dhe më “rastësisht” akoma te rruga e shtëpisë që pritej me rrugën kryesore, ku në çdo ditë përpos të dielave të pushimit Ai kalonte ashtu i heshtur, pa lënë të kuptohej qoftë edhe një herë të vetme, se e kishte vërejtur disi.
Ishte një ritual që u përsërit së paku për dy vite sa i zgjati ajo dashuri përvëluese, e cila për pak ia dogji adoleshencën edhe ashtu të trazuar. Blerta mban mend sesi me netë të tëra rrinte pa gjumë duke imagjinuar përgjërueshëm momentin kur ai do të ngrinte sytë e do ta shihte, pastaj do t’i fliste diçka që ajo as që do e kuptonte dhe kështu mes tyre do kishte një shkëndijë që domosdoshmërisht do t’i bënte bashkë. Burri përballë Blertës vazhdonte të ishte po aq i largët sa djali që ajo e kishte dashur dikur, jo këtu në Italinë fqinjë ku i kishte hedhur fati dhe jeta, por atje, në vendlindjen e tyre të largët, në kohën kur Blerta ishte një gjimnaziste e pafajshme dhe ai një djalosh i ri, punëtor në një ndërmarrje të madhe të prerjes dhe përpunimit të mishit, po aq krenar sa atëherë kur ecte rrugës me të njëjtin hap, të matur dhe të pandryshueshëm.
Duke përfituar nga një rreze dielli që depërtoi nga dritarja e kabinës së trenit, nxori shpejt e shpejt nga çanta e dorës syzet e errëta të diellit, të cilat i vinte rrallëherë, por i mbante gjithmonë me vete, dhe i siguroi kështu vetes komoditetin që ta vëzhgonte si dhe sa të kishte qejf pa i rënë në sy. Nga vëzhgimi vërejti se Agroni kishte po atë pamje krenare me të cilën e kishte marrosur atëbotë, kur mendonte se jeta do merrte fund nëse nuk do martohej me të. Martesë?.. pyeti veten gjithë çudi. Vërtet ke menduar atëherë se duhej të martoheshe me të? Pa shih , pa shih… drejt e në martesë tjetra. Dhe sa ishe atëherë? 14, 15 apo 16 vjeç?
“15”- përgjigja i erdhi rrëzë veshit dhe Blerta u drodh teksa pa t’i fanitej aty përballë vetes, në krahë të burrit me fytyrë të padepërtueshme, silueta e 15 vjeçoares të dikurshme, me flokë të prera shkurt, aq shkurt sa fare lehtë mund të ngatërrohej me një djalë, e veshur me paliçeta të kuqe që t’i merrnin sytë, aq moderne e të pazakonta për kohën. Mungonte vetëm ajo biçikleta leila me të cilën vajzushka e lumtur i binte kryq e tërthor Tiranës, duke e shijuar etshëm të sotmen dhe pa e vrarë fare mendjen sesi do të ishte e nesërmja. Ndoshta edhe do ta kishte marrë me vete, nëse nuk do të ishte aty, përballë Blertës, vite e vite më pas e ulur në një kabinë treni, i cili gjarpëronte paimponueshëm dhe qetësisht qyteteve të Italisë. Dukej sikur sapo kishte dalë nga shtëpia e saj, në atë lagje të vjetër të Tiranës, ku avllitë e shtëpive ishin aq pranë, mjafton të ngrije pak dorën dhe trokisje te fqinji gazmor dhe miqësor.
Shtëpitë e vogla, shumica prej të cilave prej qerpiçi nuk dukeshin pothuaj fare nga pemët e larta që i kishin gllabëruar nga sytë kureshtarë fasadat e madje edhe çatitë e mbuluara me qoromide. E nga një prej tyre doli tërë vërtik 15 vjeçarja bukuroshe, e cila filloi atë xhiron e përditshme në rrugicën me kalldrëm para shtëpisë, fiks në orën 15:00 në pritje që pas 7 minutave të shfaqej silueta e njohur e njeriut që ajo e kishte zgjedhur si të dashurin e zemrës. Ndjeu zemrën t’i rrihte fort e më fort, edhe pak minuta e ai do të shfaqej në rrugën kryesore me atë ecjen e tij krenare, gjithmonë të njëjtë, përsosshmërisht të njëjtë. Zëri i gjyshes u dëgjua diku aty nga oborri i shtëpisë; kërkonte diçka që vajzushka me flokë të shkurtër si të një djali harrakat as e mori vesh e as u interesua ta merrte vesh: asgjë nuk mund t’ ja prishte këtë moment magjik, moment i cili ishte i tëri për atë, djalin të cilit madje as emrin nuk ia kishte mësuar ende. Me përpikërinë që e karakterizonte ai u shfaq në rrugën kryesore: në fillim ajo njohu hapin e tij të sigurt e krenar, pastaj krishën e flokëve të ngritur përpjetë, pastaj sytë e gjelbër me atë ndriçimin mençurak.
Vetëm një minutë zgjati parakalimi i tij, madje as aq, pasi gjerësia e rrugicës së shtëpisë së saj që pritej me rrugën kryesore ku ai kalonte çdo ditë ishte shumë e vogël. Vajza shkoi deri në fund të rrugicës, mu aty ku ajo pritej me rrugën kryesore e që mjaftonte veç një hap të dilje në trotuarin e rrugës, me dëshpërimin e njeriut të pashpresë, e vëzhgoi siluetën e djalit derisa ajo i humbi krejt nga sytë dhe pastaj e thyer si një lastar i pambrojtur peme të mbetur në mëshirën e një stuhie të çmendur, u kthye për në shtëpi. Një lot i piku në faqe; lot dhembjeje dhe dëshpërimi. “Mos qaj deshi t’i thoshte Blerta. Mos qaj se nuk ja vlen. Askush nuk vlen aq sa të derdhësh lot për të”, pati po ashtu edhe ngasjen që të zgjaste dorën dhe t’ia fshinte lotin në faqe.
Por adoleshente e trazuar tashmë sikur e kishte përpirë gjelbërimi i shtëpisë së vjetër ku kishte lindur e po rritej. “Dua të qaj”, i tha vajzushka me flokë të shkurtër si të një djali dhe e veshur me ato paliçetat e kuqe e të çuditshme, e cila u shfaq sërish e ulur përballë Blertës në krah të burrit, të cilin e dashuronte fort kur ishte i ri. Një pikë loti i derdhej në faqe dhe Blerta ndërsa ripërsëriti si somnambul porosinë: “mos qaj se nuk ja vlen. Askush nuk vlen aq sa të derdhësh lot për të”, tentoi sërish që të zgjaste dorën e t’ia fshinte lotin, por vajza adoleshente u zhduk sërish. Këtë herë nuk dihej se ku. Ndoshta në Tiranën e atyre viteve kur Blerta në moshën e saj dhe me të njëjtën zjarrmi përvëluese donte dëshpërimisht të njëjtin djalë indiferent e të patrazuar, i cili nuk dihej se për ç’dreq arsye, pas më shumë se 30 vitesh ishte i ulur përballë saj, po aq indiferent sa atëbotë kur Blerta ishte marrosur pas tij, por tani për kënaqësinë e saj hakmarrëse, shumë më i plakur.
Vazhdonte ta vëzhgonte me nge nga përtej syzave të zeza të diellit, të cilat atij Agronit ia pamundësonin identifikimin e syve të saj kureshtarë. E shihte me nge dhe kureshtje gati fëmijnore dhe ajo që vërejti ishin vetëm shenjat e plakjes: asgjë tjetër. Para saj ishte thjesht një i panjohur, i cili dikur duhej të kishte qenë vërtet shumë i hijshëm, por koha dhe vitet nuk e kishin kursyer, kishin lënë gjurmët e tyre të dukshme në pamjen që ende ishte e pashme, por vetëm kaq, asgjë më shumë se një i panjohur i zakonshëm, të cilin dikur, shumë e shumë vite më parë mund ta kishte ndeshur edhe përditë, por kjo nuk e ndalonte të mos e pyeste veten, se për cilën arsye të arsyeshme ishte dashuruar me atë djaloshin e panjohur të cilin e kishte parë ditë e përditë të kalonte para shtëpisë së saj tek kthehej nga puna? Nuk i kujtohej asnjë arsye e qenësishme, ndoshta vetëm ai momenti i shkurtër kur sytë e tij u ndeshën me të sajët, në çastin kur Blerta ia preu rrugën e desh e shtypi me biçikletën e saj lejla, ndërsa si e ndërkryer bënte gara me Tanin, shokun e fëmijërisë, i cili po i thoshte tërë inat se si djalë ai ishte më i fortë dhe më i shpejtë se ajo.
Ata e patën filluar garën në krye të rrugicës së tyre dhe Blerta përfundoi drejt e në xhade, në rrugën kryesore e ku për pak përfundoi mbi një djalë, i cili aso kohe po kalonte mu aty. Djali u shmang disi dhe Blerta arriti të frenonte pa e cikur e ndërsa i kërkoi falje duke mërmëritur, ai e vështroi paksa i habitur, ndoshta nga fakti se zbuloi që pas atyre flokëve të shkurtër çuditërisht fshihej një vajzë adoleshente dhe jo ai djali arrakat që kishte menduar në fillim. Vështrimi i tij ishte i ngulët dhe paksa i habitur e kjo mjaftoi që Blerta të skuqej, të skuqej edhe më tepër tek ngatërrohej në fjalët e kërkim faljes, ndërsa ai e vështroi edhe pak, po aq ngultas si më parë, dhe shqiptoi shpejt e shpejt një “asgjë” si përgjigje për ndjesën e saj gjysmake dhe u largua. Vështrimet e tyre ishin ndeshur për pak çaste dha kaq kishte mjaftuar që Blerta të ndjente atë boom-in e madh përvëlues, zemra t’i rrihte si e çmendur, aq çmendurisht sa…
Një zile telefoni e shkëputi nga zhytja në ato kujtime të çuditshme të adoleshencës së saj të stuhishme, zilja binte dhe Blerta e rrëmbyer aq shumë nga kujtimet për të cilat me thënë të drejtën jo se kishte ndonjë nevojë kushedi se sa, nuk po arrinte të kuptonte se ishte telefoni i saj ai që binte e binte papushim. Burri përballë saj, i cili ishte edhe personazhi kryesor i atyre kujtimeve, nuk tregoi as shenjën më të vogël të bezdisë nga ajo zile telefoni që ngulmonte e ngulmonte, kushedi, ndoshta dhe ai ishte zhytur në kujtimet apo mendimet e veta, të cilat ku e ku mund të ishin më interesante se kujtimet e saj të adoleshencës. Zilja ngulmoi sërish. Blerta nuk donte asesi ta ndërpriste rrjedhën e kujtimeve, ndihej aq ngrohtë brenda tyre, ndihej si në shtëpi. Po të mos ishte ngulmimi i telefonuesit nga ana tjetër ndoshta deri në fund të udhëtimit Blerta do të vazhdonte bisedën me vetveten pa e prishur terezinë nga prania e pazëshme e burrit që dikur në rininë e tij ia kishte trazuar aq shumë adoleshencën. E kishte përcaktuar mirë: prania e tij ishte krejtësisht e pazëshme. Ai ishte aty vetëm si figurë, i pashqetësuar fare nga prania e gruas përballë tij që e zhytur në kujtimet e veta dukshëm nuk donte t’i përgjigjej telefonatës ngulmuese.
Telefoni cingëronte fort dhe Blerta pa e parë fare ekranin e telefonit e dinte se ishte e motra. Vetëm ajo dinte të ngulmonte në këtë mënyrë. Sapo shqiptoi fjalët e para në shqip, me habi vërejti se mori gjithë vëmendjen e burrit që deri më atëherë kishte bërë sikur nuk e kishte vërejtur fare praninë e saj, anipse ishte e ulur përballë tij në atë kabinë treni ku fati i kishte vënë përballë njëri- tjetrit pa të tjerë përreth. Biseda me të motrën, e cila vazhdonte monologun nga ana tjetër e telefonit pa e vërejtur se fjalët e Blertës ishin të pakta, shumë të pakta, të reduktuara vetëm te ato më të domosdoshmet të tipit “po, po”, “ok”, “ashtu?” rridhte ngadalë, së paku nga ana e Blertës, pasi e motra e kishte sosur me të sajën ta informonte për gjithçka që po ndodhte në atdheun e tyre të vogël, së paku në rrethin familjar, ku me gjasë dikush që nga mos përqendrimi i Blertës nuk po e kuptonte se kush ishte, do të martohej pas dy javësh dhe Blerta duhej patjetër të merrte pjesë në atë ceremoni martesore, ku sipas të gjitha gjasave do mblidhej i gjithë fisi i shpërndarë dhe hallakatur në të katër anët e globit.
Motra vazhdonte t’i tregonte diçka tjetër për një hatërmbetje mes disa të afërmve të tyre, të cilët Blerta kishte vite që nuk i kishte parë e po të mos t’ia përmendte ajo, kishte harruar edhe që ekzistonin, gjithmonë e më e papërqendruar në bisedë vazhdonte t’i përgjigjej shkurt e me fjalë të domosdoshme, të shprehte hera- herës edhe habinë për ngjarje, ndodhi e informacione që nuk i hynin asfare në punë, ndërkaq syzat e diellit që vazhdonte t’i mbante ende në sy, e ndihmonin të vëzhgonte pa u kuptuar prej tij, burrin përballë saj, i cili tashmë e kishte braktisur plotësisht pamjen indiferente të më shumë se dy orëve që ishin të ulur përballë njëri- tjetrit në atë kabinë treni, pa të tjerë përreth. As që po mundohej ta fshihte interesimin që e kishte kapluar befas, që sapo dëgjoi fjalët e para shqip në bisedën e Blertës me të motrën. Ndërsa biseda telefonike zvarritej e zvarritej, më shumë nga ngulmimi proverbial i bashkëbisedueses nga ana tjetër për ta qerasur me informata të ndryshme, shumica të panevojshme për atë se çka po ndodhte në atdhe, edhe interesimi i burrit që dikur në adoleshencën e vet Blerta e kishte dashur ethshëm e me përdëllim, shtohej e shtohej.
Jo vetëm që nuk ia hiqte vështrimin, por dukej se nga çasti në çast do t’i drejtohej me ndonjë fjalë, pavarësisht bisedës telefonike, zgjatja e së cilës dukej se po e bezdiste pa masë. Ai ishte sy e vesh nga gruaja me telefon në vesh, mezi ku po priste t’i jepte fund bisedës telefonike dhe po ia jepte të tëra shenjat se mezi ku priste të hynte në bisedë. Blertës iu qesh nga ai ndryshim i menjëhershëm i qëndrimit të atij burri, iu qesh teksa shihte sesi qetësia dhe indiferenca e tij olimpike ishin zhdukur si me magji, e ndërsa iu kujtua sesa shumë kishte vuajtur për më shumë se dy vite për vetëm pak vëmendje nga ana e tij, për një vështrim apo për një shenjëz sado të vogël se e kishte vërejtur praninë e saj, qenien e saj të dashuruar kokë e këmbë me të, ndjeu një lloj kënaqësie gati të ligë, tek e shihte ashtu në hall e të preokupuar për t’ia tërhequr vëmendjen. Çfarë gallate, tha me vete, teksa e shihte atë situatë të përmbysur ashtu papritmas, i erdhi të qeshte mesa fuqi kishte, por e mbajti veten.
Syzet e diellit e ndihmonin ta vërente e patrazuar sikletin e tjetrit përballë saj dhe një Zot e di sa argëtuese i dukej e gjithë kjo situatë. I vinte t’ia vishte me një shpullë surratit e t’i thoshte: idiot, sa vite t’u deshën të më vëreje? Dhe për ta shijuar deri në fund kënaqësinë që po i jepte e gjithë kjo, vendosi që ta zgjaste edhe më tej bisedën me të motrën, duke zgjatur kështu edhe agoninë e burrit përballë, i cili befas sikur të ishte zgjuar nga një gjumë i rëndë, e kishte vërejtur praninë e saj. O Zot sa argëtuese ishte që atë burrë të thinjur e në pamje të parë aq serioz, ta shihte sesi nuk po e fshihte turbullimin dhe bezdisjen nga biseda e stërzgjatur, ndërsa ajo për vete si i thonë një fjale, u shtrua këmbëkryq në atë bisedë, duke e ndryshuar kursin e saj, nga fjalët e kursyera në një lum fjalësh që tregonin interesim të shtuar për atë çka po i rrëfente e motra. Fliste në telefon dhe njëkohësisht vërente mimikën dhe gjestikulacionet e atij njeriu të cilin sikur e kishin braktisur njëkohësisht siguria, indiferenca, moskokëçarja dhe mospërfillja që e kishin karakterizuar në atë pak njohje të njëanshme që kishte me të.
Nga burri indiferent të cilit as qerpiku nuk i kishte lëvizur nga prania e një gruaje ende të bukur e të mbajtur, çuditshëm ishte kthyer në një burrë të zakonshëm, i cili dëshpërimisht po bënte të pamundurën për t’i rënë në sy të njëjtës grua që për mbi dy orë as që ia kishte hedhur sytë edhe pse ishin të ulur përballë njëri- tjetrit të patrazuar nga prania e kurrkujt tjetër. Blerta po argëtohesj gjithmonë e më tepër tek e shihte po aq të hapërdarë sa 30 vite e kusur më parë kishte parë vetveten adoleshente që më shumë se nga dashuria për të, vuante prej mospërfilljes së tij të paemër. “Sa vjeç ishe atëherë kur vuaje për këtë njeri”, iu drejtua vetes. “14, 15, 16? Sa”?
“15. Ta thashë njëherë që 15”. Vajzushka me flokë të shkurtra sa të një djali dhe po me të njëjtat paliçeta të kuqe, sa të çuditshme aq edhe moderne për kohën u rishfaq përballë Blertës, e ulur pranë burrit që tashmë përfundimisht e kishte humbur qetësinë e tij. “E njeh këtë burrë që s’po mundet ta fshehë shqetësimin e tij që vetëm po vjen duke u rritur”?, e pyeti vajzushkën me qëndrim djaloshi kryeneç që po e shihte guximshëm drejt e në sy?
Pa i kthyer fare sytë nga burri të cilit i ishte ulur përkrah, vajzushka i ktheu përgjigjen e shkurtër e të prerë: “JO”!
“Epo shihe mirë”, u mat t’i thoshte. “Së paku hidhja një vështrim”- por sikur ajo ta kishte kuptuar çfarë ishte bërë gati t’i thoshte bashkëbiseduesja, u kthye anash për ta parë më mirë burrin për të cilin Blerta sapo e kishte pyetur dhe filloi ta shohë ngultas. E mati disa herë me ata sytë e saj gjithë dritë dhe pastaj sikur befas t’i kishte shkreptirë diç në mendje, u kthye nga Blerta dhe duke ngritur supet e pasigurt për atë që kishte parë apo identifikuar i tha si me pëshpërimë: “sytë e tij diçka më thonë. Dikë ma kujtojnë…”
“Kë ta kujtojnë”?, ndërkohë që u bë gati t’ia drejtonte këtë pyetje ajo ishte zhdukur sërish dhe përballë Blertës kishte mbetur vetëm burri i paduruar për të hyrë në bisedë. Loja e 15 vjeçares që herë dukej e herë zhdukej magjishëm po i jepte një lloj adrenaline që kishte vite që nuk e kishte provuar, donte që ta vazhdonte bisedën me të, por ajo ishte larguar po me të njëjtën shpejtësi dhe mister me të cilin ishte shfaqur dhe Blertës i erdhi keq që nuk mundi ta pyeste se kë i kujtonin sytë e burrit, padurimi i të cilit kishte mbërritur në pikun e vet. “Nuk e di, mbase është i ati, a ku di unë, por më kujtojnë sytë e dikujt, e një njeriu që e kam fort për zemër”, zëri i 15 vjeçares që tani e kishte bërë zakon të shfaqej dhe zhdukej si ti tekej, u dëgjua rrëzë veshit të saj dhe Blerta filloi të besonte se nëse vërtet nuk ia kishte bërë pyetjen që deshi, ajo përpos aftësisë për t’u shfaqur dhe zhdukur kohë e pa kohë, kishte dhe aftësinë tjetër për t’ia lexuar paraprakisht mendjen. Nëse ishte kështu, çka dreqin pra bënte aty me Blertën në atë kabinë treni që gjarpëronte qyteteve të Italisë, 30 vjet më vonë nga e tashmja e saj, në të tashmen e Blertës që ishte e ardhmja e saj?
E sikur ta kishte dëgjuar gjithë atë arsyetim patetik që edhe vetë Blertën e trishtoi me atë sesa shumë i ngjante një loje bajate fjalësh edhe më bajate, u shfaq sërish përballë saj dhe filloi një inspektim të hollësishëm me ata sytë e saj hetues që po e zhbirilonin Blertën deri në atë pikë sa filloi të ndihej në siklet e për t’i ikur këtij sikleti vendosi me vete t’ia bënte bajat e t’ia thyente hundët duke i treguar se i pëlqente ose jo, çfarëdo që të shihte te gruaja e ulur përballë saj, ajo ishte pasqyra e perspektivës së saj, donte apo nuk donte, Blerta ishte ajo që do të bëhej pas 30 vjetësh. “Nuk është i ati, as dikush i afërm, as dikush i ngjashëm, por është vetë ai, Agroni”, i pëshpëriti me një kënaqësi të ligë, që rridhte nga fakti se do ta bënte ta humbiste atë sigurinë e deritanishme, edhe pse nuk ishte ende shumë e sigurt nëse ia kishte mësuar apo jo ende emrin djalit pas së cilit fluturonin e dalldiseshin hormonet e saj, Blerta megjithatë e pa të arsyeshme t’ia bënte me dije një fakt të tillë.
“Cili Agron”?, e pyeti gjithë kureshtje dhe, edhe pse ende e kishte atë sigurinë e mëparshme Blerta arriti ta vërente se diçka po ndodhte brenda saj dhe se përafërsisht e kishte kuptuar se kush ishte Agroni.
“Agroni pra, djali pas së cilit po të lënë mendtë”, vazhdoi me ligësinë e saj që po e drejtonte kah shtigje që fare mirë mund ta lëndonin vajzën që ende nuk dinte asgjë për botën, edhe pse mendonte se i dinte të gjitha misteret e kësaj bote, ngaqë bota e saj ishte dashuria për djalin e panjohur, të cilit nuk ia dinte ende as emrin.
“Uau”, mjaftoi kjo pasthirrmë e saj që Blerta të kuptonte se ja kishte arritur qëllimit, se, në mos e kishte lënduar së paku ia kishte rrëzuar përtokë sigurinë e fillimit, por ama kjo nuk ishte një fitore përfundimtare e Blertës ndaj vajzushkës me flokë të shkurtra e paliçeta të kuqe e të çuditshme, sepse nëse e mbante mend mirë veten adoleshente e dinte se ajo me shpirtin e saj luftarak nuk do dorëzohej lehtë, nuk do lëshonte as pe e as udhë, për asnjë arsye në botë.
“Agron e paska emrin”?, e pyeti qetë dhe filloi ta vështronte drejt e në sy me ata sytë e saj zhbirilues, Blerta nuk po arrinte të kuptonte pse ishte aq e qetë, por ajo po aq qetësisht i tha: “epo unë nuk kam çfarë kërkoj më këtu, më shumë qenka tipi yt se imi” dhe pa i thënë as lamtumirë, e dinte se kjo ishte hera e fundit që do e shihte, u zhduk përfundimisht pa i lënë kohë madje as t’i thoshte: “faleminderit, por as tipi im nuk është”!
Hoqi syzet e diellit dhe këtë e bëri qëllimisht, nuk iu fsheh më vështrimit ngulmues të burrit përballë saj, por as nuk i la më kohë të futej në bisedë, vazhdoi e patrazuar bisedën në telefon me të motrën, e ndërsa fliste mori një vendim të atypëratyshëm, të zbriste në stacionin e radhës, kështu dhe ashtu Blerta kishte hipur kuturu, kishte zgjedhur po kuturu një destinacion krejt të rastësishëm, e lodhur nga rutina dhe monotonia e padurueshme i kishte thënë vetes se i duhej një ditë krejt për vete dhe vetëm me mendimet e veta, një ditë që do t’i mjaftonte për të vënë rregull në mendimet dhe jetën e saj, e ku tjetër mund të ishte më e qetë dhe më e patrazuar se në një udhëtim me tren?, kështuqë hipi në atë tren pa asnjë qëllim të caktuar, thjesht për t’u kthjellur në përballjen me veten, dhe fati ia solli përballë dashurinë e parë të jetës, dashurinë e pashpresë që ia kishte trazuar aq shumë adoleshencën.
Treni u ndal dhe Blerta ende me telefon në dorë u bë gati të zbriste. Ia bëri lehtë me kokë, në formë të përshëndetjes burrit përballë saj, i cili nuk e fshehu aspak dëshpërimin kur kuptoi se biseda tashmë ishte e pamundur, “më fal, por je tepër vonë”, iu drejtua në heshtje në momentin që zbriti shkallët e trenit dhe u gjend në një stacion të panjohur treni, “gjërat kanë kohën e vet, e jona me gjasë nuk ka qenë kurrë, ose edhe nëse ishte e dogjëm, unë nga pafajësia e moshës time e ti nga indiferenca e moshës tënde, prandaj lamtumirë përgjithmonë”, pas supeve ndjeu vështrimin ngulmues të burrit që çuditërisht nuk po ia kujtonte më dot emrin. Ktheu si padashje kokën dhe nga dritarja e trenit që po vazhdonte udhëtimin drejt destinacionit të radhës më shumë se e dalloi atë, ndjeu vështrimin e syve të tij të gjelbër si shpërthim harlisës pranvere. Dalloi vetëm një dorë që po e përshëndeste, por edhe pse nuk e pa figurën e pronarit të dorës, e dinte se ishte dora e 15 vjeçares që po largohej përfundimisht nga jeta e Blertës.
Shkoi drejt sportelit të stacionit të vendit të panjohur dhe preu një biletë kthimi për në Romë. Qeshi e lirë dhe e çliruar nga gjithçka! “Më ishte dashur ky udhëtim”, i tha vetes dhe vijoi bisedën me motrën.
/Shqip.com