Lajme

Alarmi! Kush po i zhvat llogaritë e klientëve të Raiffeisen Bank? “Lumë” denoncimesh: Na vidhen kursimet dhe lekët e rrogës

Sistemi bankar në vend po përballet me një valë të re alarmi, pasi në redaksi ka mbërritur një lumë i vërtetë denoncimesh nga qytetarë në Tiranë dhe rrethina, të cilët raportojnë për zhdukje misterioze të parave nga llogaritë e tyre pranë Raiffeisen Bank. Mesazhet e njëpasnjëshme të mbërritura gjatë orëve të fundit tregojnë se paratë e kursyera me mund avullojnë pa asnjë shpjegim.

Ajo që e bën këtë situatë akoma më dyshimtë është mënyra se si shfaqen këto lëvizje financiare në aplikacionet zyrtare. Qytetarët që kanë denoncuar pranë JOQ tregojnë se në historikun e transaksioneve, paratë e zhdukura figurojnë thjesht si “Tërheqje në ATM”. Në kushte normale, çdo tërheqje nga bankomati regjistrohet me të dhëna të detajuara, përfshirë kodin e identifikimit të ATM-së, orën e saktë dhe vendndodhjen gjeografike. Në rastin aktual, sistemi shfaq vetëm një përshkrim të përgjithshëm, duke fshehur gjurmët se ku dhe si përfunduan paratë e shqiptarëve.

Kjo mungesë totale e transparencës dhe heshtja e qëllimshme nga ana e drejtuesve të bankës ngre pikëpyetje të mëdha mbi atë që po ndodh realisht prapa dyerve të mbyllura. A po përballet Raiffeisen Bank me një sulm kibernetik të përmasave të mëdha, a është komprometuar infrastruktura e saj dixhitale, apo po përballemi me një vjedhje të mirëfilltë nga brenda? Më e rënda nga të gjitha, pyetja që po bëjnë sot mijëra qytetarë të shqetësuar është se mos vallë vetë banka po ua merr paratë nga llogaritë përmes manovrave të fshehta elektronike apo gabimeve abuzive në sistem, duke shfrytëzuar mungesën e kontrollit dhe duke lënë klientët pa asnjë përgjigje.

Ndërsa shumë qytetar që i kanë besuar kursimet e tyre kësaj banke po përballen me një situatë të tillë, Raiffeisen Bank duhet të informoj të gjithë klientët se çfarë po ndodh me paratë e tyre pas dyerve të mbyllura. Por rënia pre e një prej bankave më të rëndësishme të vendit e një sulmi kibernetik të këtyre përmasave, ngre sërish pyetjen se sa të përgatitura janë bankat shqiptare në realitetin e ri të dixhitalizimit dhe a kanë investuar ato mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e klientëve të tyre./ JOQ

©️Shqip.com