Lajme

Aktakuzë ndaj 4 zyrtarëve të Komunës së Ranillugut për keqpërdorim me tender

Prokuroria Themelore në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzën kundër katër zyrtarëve të Komunës së Ranillugut për keqpërdorime me një tender.

Siç bëhet e ditur në njoftim, të pandehurit janë G.J., I.Gj., B.Gj. dhe S.D.

“Sipas aktakuzës, që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranillug, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtar në komunën e Ranillugut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në tenderin me titull ‘’Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillugut për vitin 2018’’, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, ashtu që me mos veprimet e tyre kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8.307,00 €, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë (6) pozicione të pa kryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të komunës së Ranillugut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranillugut i paguan si pozicione të kryera”, thuhet në komunikatën për media.

 Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./SHQIP.com