Ajazi – qytetarëve: Sot do të vendoset se si do të udhëhiqet komuna e Drenasit në katër vitet e ardhshme

Kandidati për kryetar të Drenasit nga Iniciativa Qytetare “Demokratët për Drenasin”, Driton Ajazi ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Ajazi në rrjetin social Facebook tha se sot është një ditë e vullnetit të lirë qytetarë dhe përmes votimit përcaktohet e ardhmja e komunës së Drenasit për katër vitet e ardhshme.
“Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët e Drenasit që të dalin dhe ta japin votën lirshëm e të pandikuar, sepse vetëm kështu tregojmë për demokracinë e kultivuar në shoqërinë tonë. Sot është dita juaj! Është momenti kur ju me verdiktin në kutinë e votimit do të vendosni se si do të udhëhiqet komuna jonë për katër vitet tjera”, ka shkruar Ajazi.

Në komunën e Drenasit, gara po zhvillohet mes Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin./SHQIP.com