Ahmeti thotë se asnjë nga 36 të vdekurit nuk ishin të vaksinuar plotësisht

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se asnjë nga 36 viktimat e së dielës nga COVID-19 “nuk ishte i vaksinuar plotësisht”.
“Dallimi në mes të Kosovës dhe shteteve tjera me numër të ngjashëm infektimesh është përqindja e vaksinimit”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
I pari i kryeqytetit theksoi se “nuk ka vaksina të mjaftueshme”, por shtoi se “s’ka as vullnet për t’u vaksinuar”.
Ahmeti deklaroi po ashtu se duhet të merren masa kundër pandemisë
“Masa të rrepta afatshkurtër për ta ngadalësuar infektimin e vaksinim masiv për ta shpejtuar mbrojtjen. Rrugë tjetër nuk ka”.
Një rekord prej 36 viktimash nga Coronavirusi është shënuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, njofton Shqip.com.
Si asnjëherë më parë, numri i të vdekurve si pasojë e infektimit me virusin Corona në Kosovë ka kaluar në mbi 35.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku thuhet se edhe një mijë e 630 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Rastet e reja të infektimit janë regjistruar nga gjithsej 11 mijë e 17 testime të kryera.
Tutje në raport njoftohet se sot janë shëruar 816 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 113.699, derisa numri i rasteve aktive në total është 26.575. /Shqip.com