Aferat në UKT, SPAK kopsit dosjen për 3 punonjës dhe një biznesmen, në gjykatë edhe çështja e vjedhjes përmes dublimit të pagave

SPAK ka mbyllur hetimet për tre ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me tenderat kur kanë qenë punonjës në “Ujësjellës Kanalizime”.
Sipas SPAK, hetimet janë mbyllur dhe dosja i ka kaluar për gjykim GJKKO për: Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, i Kodit Penal.
– Bledar Shemaj, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga nenet 186/1 dhe 190/1, të Kodit Penal.
SPAK thekson se nga hetimet e kryera rezulton se, të pandehurit Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, punonjës të shoqërisë tregtare “Ujësjellës Kanalizime” sh.a., dega Tiranë, kanë marrë pjesë si anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave dhe më pas, si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në procedurat për prokurimin me objekt “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a”, me procedurë të hapur marrëveshje kuadër, të datës 11.01.2019, me vlerë 143.618.333 lekë pa TVSH.
Ata akuzohen se gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave kanë ndryshuar njërin nga specifikimet, që kishte të bënte me figurimin në listëpagesa të një punonjësi manovrator të mjeteve të rënda (duke e hequr si kërkesë), për qëllime të favorizimit të shoqërisë “W Center” sh.p.k, me numër nipti K63029402A, me ortak e administrator të pandehurin Bledar Shemaj. Më pas gjatë vlerësimit të ofertave e kanë kualifikuar këtë shoqëri pavarësisht se nuk përmbushte njërin nga specifikimet e kërkuara, atë të pasjes nga ana e manovratorit të mjeteve të rënda të një leje drejtimi të vlefshme.
Ndërkohë që i pandehuri Bledar Shemaj, akuzohet se ka paraqitur në këtë procedurë prokurimi një kontrate pune duke paraqitur rrethana të rreme mbi punësimin e shtetasit Q.M në shoqërinë e tij (si manovrator i mjeteve të rënda), specifikim për të cilin kishte patur ankesa më parë nga operatorë të tjerë, si dhe ka paraqitur rrethana të rreme në deklaratën e plotësuar prej tij si dokument standard mbi kontratat e paraqitura për marrjen me qira të mjeteve me të cilat do të kryente shërbimet, në një kohë që nga zbatimi i kontratës rezulton se shërbimi është kryer duke përdorur mjete që i’u përkasin shoqërive të tjera.
Dosja e dytë
Për UKT ka një dosje tjetër. Prokuroria e Tiranës mësohet se përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 4 zyrtarë të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë të akuzuar për vjedhjen e 21.6 milionë lekëve përmes rrogave të dublikuara.
Sigi Zhuleku përgjegjës i pagave dhe Erblin Lushaj inxhinier, u arrestuan për veprën penale ‘Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën’. Ata u liruan më pas nga burgu, por tashmë rrezikojnë dënimin.
Pjesë e dosjes janë edhe 2 punonjës Rudina Lalaj e Azem Xhaferri, futuristë. Punonjësit e UKT-së akuzohen se e kanë kryer vjedhjen për pesë vjet me radhë, duke marrë çdo muaj nga dy paga. Ata u kallëzuan nga kreu i UKT.
Vjedhja u zbulua nga një bankë e nivelit të dytë që sinjalizoi UKT-në për dublikim të emrave të punonjësve të kësaj shoqërie në procedurën e kalimit të pagave nga llogaria e UKT-së drejt bankës.
Dhe përfituesit sipas organit të akuzës ishin shtetasit Sigi Zheleku e Rudina Lalaj. Lëvizjet janë evidentuar kryesisht në periudhën Janar-Korrik 2023, ku nga auditimi i kryer rezulton se listë pagesat zyrtare së bashku me urdhër transfertat, në dukje kanë të njëjtën vlerë totale por që në të vërtetë nuk korrespondon me vlerën në urdhërin e transfertës.
Diferenca për këtë periudhë vjen si rezultat i dublikimit më shumë se dy herë i punonjësve Sigi Zhuleku e Rudina Lalaj.
Fenomeni dyshohet se është i shtrirë nga muaj Prill 2018 deri në Korrik 2023 dhe dëmi ekonomik është i konsiderueshëm, ku përfitues janë Sigi Zheleku, Rudina Lalaj, Azem Xhaferri dhe Erblin Lushaj. Prokuroria arrin në konkluzionin se shtetasi Sigi Zheleku ka përfituar në mënyrë të paligjshme, përtej vlerës së listë pagesës mbi të ardhurat nga punësimi, diferencën prej 13, 983, 504 lekë nga Prilli i 2018 në Korrik 2023. Shtetasja Rudina Lalaj për periudhën Prill 2018-Korrik 2023 ka përfituar 5, 627, 504 lekë.
Erblin Lushaj për periudhën Prill 2018-Shtator 2021, ka përfituar, 1, 616, 416 lekë.
Azem Xhaferi për periudhën Prill 2021-Korrik 2022, ka përfituar 452,446 lekë.
/Shqip.com