Lajme

Abdixhiku: Nesër do të dorëzojmë kallëzim penal për punësimet në KEK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas raportimeve se në konkursin e shpallur në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) janë punësuar familjarë të anëtarëve të Vetëvendosjes.

Abdixhiku, punësimet në këtë korporatë i ka quajtur si model i pushtetit në vend dhe ka paralajmëruar kallëzim penal.

‘Sot, kemi ftuar Prokurorinë të nisë hetimet mbi këtë proces skandaloz e korruptiv. Nesër do të dorëzojmë dhe kallëzim penal në Prokurori. Kemi ftuar dhe menaxhmentin e KEK-ut të anulojë procesin në fjalë e t’i suspendojë të gjithë anëtarët e Komisionit Vlerësues; dhe të rinisë kështu një proces të ri, të hapur dhe mbi të gjitha të drejtë’’, ka shkruar Abdixhiku.

‘’Plot 4668 qytetarë tanë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës – pra në KEK. Ky aplikim i tyre nuk kishte fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet’’ – vijon më tej shkrimi.

Sipas tij, VV-ja ka bërë nepotizëm në çdo ndërmarrje publike.

‘’Ky është modeli i pushtetit në vend. Kapje e nepotizëm masiv i çdo vendi e çdo ndërmarrje pa dallim; dhe atë hapur e pa brengë. Ata që e arsyetojnë kapjen, që normalizojnë zëvendësimin e një kapësi me tjetrin, le t’iu flasin sot të katër mijë aplikantëve që janë refuzuar sepse s’kishin parti. Le t’i bindin tani – ata e familjet e tyre – se dëshpërimi e ikja nga ky vend nuk është alternativë’’, shkruan Abdixhiku.

Korporata Energjetike e Kosovës

Më tej ka shtuar se ‘’ në qeverisjen e ardhshme time, konkurset e tilla, nuk do të kapërcejnë pa monitorim nga organizatet e pavarura – vendore e ndërkombëtare. Merreni këtë si zotim publik@, përfundon kryetari i LDK-së.

Ndryshe KEK-u ka reaguar ndaj raportimeve se janë punësuar militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

KEK në reagim thotë se është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.

Kjo ndërmarrje publike thënë se të gjitha ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit./Shqip.com