Lajme

Abdixhiku jep rekomandime për Qeverinë si të menaxhohet pandemia

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka dhënë rekomandime Qeverisë së Kosovës sesi ta menaxhojnë pandeminë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se duhet të hapen më shumë qendra të vaksinimit, të rritet stafi mjekësor e të shtrëngohen masat për të pavaksinuarit, njëkohësisht të lehtësohen për ata që e kanë kryer këtë proces.

Këto sugjerime të Abdixhikut erdhën pasi të dielën u regjistruan 36 vdekje si pasojë e COVID-19.

“Pa fjalë. Është tragjedi kombëtare kjo. Bashkëndjejmë me 36 familjet kosovare sot e me qindra të tjera që humbën të afërmit këto ditë”, ka shkruar ndër tjerash Abdixhiku.

Një rekord prej 36 viktimash nga Coronavirusi është shënuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, njofton Shqip.com.

Si asnjëherë më parë, numri i të vdekurve si pasojë e infektimit me virusin Corona në Kosovë ka kaluar në mbi 35.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku thuhet se edhe një mijë e 630 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Rastet e reja të infektimit janë regjistruar nga gjithsej 11 mijë e 17 testime të kryera.

Tutje në raport njoftohet se sot janë shëruar 816 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 113.699, derisa numri i rasteve aktive në total është 26.575.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 11.458 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 808.078 doza të vaksinës. Deri më sot 269.312 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të thërras mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare këtë pasdite, si pasojë e situatës me COVID-19.

“Sot pasdite kryeministri Kurti do të thërras mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë, teksa ora e mbledhjes nuk është bërë ende e ditur. /Shqip.com