AAK thirr në interpelancë Hekuran Muratin

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thirrur në interpelancë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që Kuvendi të ndërpres pushimin, dhe ministri i financave, z. Hekuran Murati të japë llogari në një Interpelancë në Kuvend për bllokimin e pagave”, ka shkruar Tahiri.
Çështja për të cilën AAK-ja ka thirrur në interpelancë Muratin ka të bëjë me cënimin e të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore lidhur me ndalimin e pagave për muajin gusht.

Ditën e hënë, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë konferencës për media ka thënë se ekzekutimi i pagave për grevistët është bërë pjesërisht.
Ai thënë se “greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK në fund të muajit gusht, pra nga data 25, ka krijuar nevojën që të riprocesohen edhe llogaritjet edhe për ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva e shpallur”.
Greva e përgjithshme në Kosovë ka filluar nga 25 gushti./Shqip.com