Lajme

AAK pro tërheqjes së 30 për qindëshit nga Trusti: Të ua lehtësojmë jetën qytetarëve

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, ku nëpërmjet tij mundësohet tërheqja e Trustit deri në 30 për qind, po përkrahet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i ka thënë Shqip.com se “e përkrahin iniciativën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu duke u bazuar në gjendjen ekonomike të qytetarëve”.

Ndër tjerash, Lekaj theksoi se shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore kanë rënduar jetesën e qytetarëve të vendit.

“Ka qenë edhe propozim i mëhershëm i AAK-së. AAK dhe deputetët kanë kërkuar bashkë me kryetarin Ramush Haradinaj që për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së procedimit të Ligjit të pagave, të ua lehtësojmë sado pak qytetarëve jetesën në vend”, përfundoi, deputeti Lekaj.

Ilustrim

Më nëntë mars, deputeti Bekim Haxhiu nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

“Po me nëntë mars e kam dorëzuar projektligjin për tërheqjen e Trustit deri në 30 për qind, kjo është një kërkesë nga një numër i madh i qytetarëve”, ka thënë Haxhiu për Shqip.com.

Gjithsej 427 mijë e 371 qytetarë të Kosovës bënë tërheqje të shumave të ndryshme nga Fondi i Kursimeve Pensionale, aplikim ky që filloi nga 11 dhjetori i vitit 2020 dhe që mbaroi më 06 prill të këtij viti.

Për katër muaj sa zgjati aplikimi për tërheqje të 10 për qind të shumës së kursyer nga Fondi Pensional nga qytetarët, vlera e tërhequr ishte mbi 197 milionë. Fond ky që deri në 120 milionë euro pritet të rimbursohen në afat prej 5 viteve të ardhshme./Shqip.com