AAK përkrah shkurtimin e fushatës në zgjedhjet lokale: Nuk duhet të rrezikohen legjitimiteti i institucioneve dhe demokracia

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është dakorduar që zgjedhjet lokale të mbahen me fushatë të shkurtuar, nga 30 në pesë ditë, me paraqitje publike të kufizuara sipas masave, njofton Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, AAK ka bërë të ditur se deri te ky dakordim kanë ardhur pasi që konsiderojnë se legjitimiteti i institucioneve dhe demokracia nuk duhet të rrezikohen.
“Aleanca është dakorduar që zgjedhjet lokale të mbahen me fushatë të shkurtuar, nga 30 në 5 ditë, me paraqitje publike të kufizuara sipas masave të cilat përcaktohen nga ekspertët shëndetësorë. Në respekt të plotë të jetës njerëzore, Aleanca konsideron se legjitimiteti i institucioneve dhe demokracia nuk duhet të rrezikohen”, thuhet ndër tjerash në postim.
Ndërkaq, të hënën duke filluar nga ora 17:00, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të pres në takim krerët e partive politike, për të diskutuar shtyerjen e zgjedhjeve lokale për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19.
Kurse, të shtunën, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës i ka rekomanduar Presidentes që të shtyejë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit./Shqip.com