Lajme

AAK ngrit shqetësimin për disa parregullsi në Junik

Besnik Tahiri, sekretar i përgjithshëm i AAK-së.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në një konferencë ngriti shqetësimin e kësaj partie kundrejt disa parregullsive që kanë ndodhur në Junik.

Tahiri tha se policia e ka arrestuar Visar Shehun, djalin e kandidatit për kryetar të kësaj komune, Ruzhdi Shehut, pasi ka kërcënuar menaxheren e Qendrës së Votimit, shkruan Shqip.com.

“Së fundmi e kemi një lajm ku djali i kandidatit për kryetar të komunës Ruzhdi Shehu, pra nga radhët e LDK-së, në Junik, është ndaluar nga policia sepse në një qendër të votimit ka kërcënuar drejtoreshen e shkollës, respektivisht menaxheren e asaj shkolle”, deklaroi Tahiri në konferencën për media.

Më tutje, ai ka ngritur shqetësimin edhe për incidentet e tjera në këtë komunë.

“Një aktivist i LDK-së, ka tentuar të ndikojë te votuesit si dhe kemi informacione se ka ndodh një sulm nga ish-kandidati për Asamble i VV-së ndaj komisionerit të AAK-së”, tha Tahiri./Shqip.com