Lushtaku ironizon me Qeverinë Kurti: KREJT dhe DREJT rritjes së çmimeve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka ironizuar me sloganin e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, “Krejt dhe drejt”, të cilën e kishte përdorur gjatë fushatës.
“Krejt dhe Drejt rritjes së çmimeve!”, ka shkruar Lushtaku në Facebook, duke iu referuar situatës së fundit me energji elektrike në Kosovë, ku është paralajmëruar për rritje të çmimit.
Sipas deputetit të PDK-së, kryeministri Albin Kurti nuk e ka hallin e qytetarëve, por “të bizneseve që kanë qëllim vetëm interesin e tyre”.
“E kanë humbur çdo ndjeshmëri për qytetarët me marrjen e pushtetit”, ka shkruar Lushtaku.
“Por, me rëndësi votat e 50,28% të qytetarëve me të drejtë vote i kanë marrë. Durim për juve që nuk i keni votuar! Ndërsa, ju që i keni votuar, përgëzime për shtrenjtimin e rrymës, produkteve ushqimore, materialit të ndërtimit etj”.
Siç ka thënë ai, VV-ja e ka hallin vetëm te pushteti dhe jo te populli.
“Zot, na ruaj nga injoranca, demagogjia dhe hipokrizia e kësaj qeverie!”.
Sipas propozimit të ZRRE-së i cili reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiak.
Niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët./SHQIP.com
