SKANDALI/ Wizz Air lë pasagjerët dy ditë në aeroportin e Barcelonës. Kompania reagon pas tre ditësh duke fajësuar…
Një situatë kaotike është krijuar me kompaninë ajrore Wizz Air, pasi dhjetra pasagjerë shqiptarë kanë mbetur në aeroportin e Barcelonës, pa mundur të udhëtojnë drejt Tiranës.
Ditën e djeshme ishte planifikuar një fluturim nga Barcelona drejt Tiranës. Fillimisht, fluturimi u shty për në orën 03:00 të mëngjesit, ndërsa më pas u anulua fare.
Pasagjerëve iu dhanë bileta për fluturimin e radhës, i cili ishte planifikuar për sot në drekë.
Por, pasi kanë shkuar në aeroport dhe kanë kaluar deri te porta e imbarkimit (Gate), pasagjerëve u është komunikuar se biletat e tyre nuk ishin të vlefshme.


Aktualisht, pasagjerët kanë mbetur në aeroport dhe, sipas tyre, nuk po marrin asnjë përgjigje apo zgjidhje, as nga kompania ajrore dhe as nga autoritetet shqiptare.
Përfaqësuesit e Wizz Air në Barcelonë nuk kanë dhënë asnjë përgjigje konkrete, duke u kërkuar pasagjerëve të kontaktojnë numrin qendror të kompanisë. Por edhe ky komunikim nuk ka qenë i mundur, pasi telefonata drejtohet vetëm nga një sistem automatik.
“Kemi dy ditë që rrimë në aeroport dhe sot, që marrim në telefon Ministrinë e Jashtme dhe Ambasadën Shqiptare në Spanjë, askush nuk përgjigjet”, shprehet një prej pasagjerëve për Vox News.
Këtë të hënë, kompania reagoi duke thënë se fluturimi u anullua për shkak të kushteve të këqija të motit.
“Wizz Air konfirmon se fluturimi W4 5153 nga Tirana drejt Barcelonës, të dielën, më 4 tetor, u anulua si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike në Barcelonë. Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë mbetet gjithmonë prioriteti ynë kryesor. Falënderojmë pasagjerët tanë për durimin dhe mirëkuptimin,” deklaroi Wizz përmes një njoftimi zyrtar.
©Shqip.com