Balla paralajmëron Braçen dhe Sinajn: Nëse votoni kundër reformës, e dini vendimin politik që vjen pas!
Votimi i reformës së re territoriale këtë të enjte kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash në Kuvend, çka e vendos shumicën parlamentare në një sprovë të fortë numrash.
Mungesa e Belinda Ballukut dhe largimi i mëhershëm i deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste e kanë çuar mazhorancën në kufijtë e saj kritikë.
Në këto kushte, çdo votë e deputetëve socialistë është vendimtare, ndërsa brenda rreshtave të PS-së nuk mungojnë zërat kritikë dhe rezervat për hartën e re administrative ku mes tyre, deputeti Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe kanë shprehur hapur kundërshtimet e tij për ndarjen e re territorial.
Përballë kësaj situate të tensionuar, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u ka dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë të gjithë deputetëve të tij: disiplina partiake duhet të mbizotërojë mbi çdo mendim apo rezervë personale.
Prononcimi i sotëm i Taulant Ballës si kryetar i grupit parlamentar përbën një paralajmërim të drejtpërdrejtë politik për çdo deputet socialist që mendon të dalë kundër linjës zyrtare të partisë.
Megjithëse Balla përpiqet ta ambalazhojë diskursin me nota demokratike duke pranuar se në mbledhjet e grupit ka debate, mendime ndryshe apo edhe vota kundër ai e bën të qartë kufirin e pakalueshëm: vendimi përfundimtar është politik dhe i detyrueshëm për të gjithë.
Frazat e përdorura prej tij, si “ju e dini vendimin politik” dhe referimi se “në fund është ai vendimi tjetër që pason“, përbëjnë një mesazh të koduar, por mjaft të qartë përjashtimi nga grupi parlamentar ose penalizimi politik për këdo që rrezikon miratimin e reformës më 84 vota.
Me këtë qëndrim, Balla kërkon të neutralizojë përpjekjet e deputetëve si Vullnet Sinaj apo të tjerëve që kanë rezerva për zonat e tyre elektorale, duke u rikujtuar se përballet prioriteti kombëtar i integrimit europian dhe i axhendës së mazhorancës me fatin e tyre politik në parti.
Biseda me gazetarët:
Pyetje: Jashtë banorë të Memaliajt dhe Fushë-Arrëzit që kundërshtojnë me protestë hartën e re territoriale…
Taulant Balla: Ata nuk janë banorë, janë punonjës të bashkisë…
Gazetarja: Keni folë me deputetët e PS, mes tyre ka nga ata që kanë rezerva për hartën e re?
Taulant Balla: Jo, jo sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka ras… raste që deputetët shprehin mendimin e tyre, votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik. Dhe besoj që të gjithë deputetët e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është që të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Javën e ardhshme kemi një moment tjetër le të themi kulminant të suksesit që lidhet me konferencën e radhës ndërqeveritare, ku kalojmë, mbyllim një kapitull tjetër dhe besoj që ky është ai momenti i ndërgjegjësimit të natyrës politike për të kuptuar që duhet të ecim përpara në drejtimin që kemi.
Gazetarja: Keni frikë se po përmendni vendim politik e dini se çfarë ndodh po dolën kundër vendimit politik, apo i kërcënoni ju dy deputetët apo një deputet për përjashtim nëse nuk votojnë?
Taulant Balla: E para, e para janë dy deputetët ndër më të mirët që ka grupi parlamentar.
Gazetarja: Zoti Balla, bashkimi i Rrogozhinës me Kavajën a është bërë për interesat elektorale të Partisë Socialiste?
Taulant Balla: Nuk është një… nuk është një diskutim kjo natyrë…
Gazetarja: Ju jeni dhe drejtues, prandaj po…
Taulant Balla: Nuk është një diskutim sepse të dyja janë bashki të qarkut Tiranë, kështu që nuk ndryshon le të themi konteksti elektorale-politik në zgjedhjet qendrore.
/Shqip.com