Balla denoncon Agron Shehajn: Mashtruesi më i madh i Call Center-ave, të vjedh duke marrë në telefon. Ka radhën për t’u arrestuar!
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas arrestimit të dy të rinjve, të dyshuar se tentuan t’i merrnin 100 mijë euro presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke përdorur emrin e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka akuzuar kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj për lidhje me aktivitetin e call centerave.
“Ju kam thënë shpesh për këtë palaço se është mashtruesi më i madh i call centerave. Të vjedhin duke të marrë në telefon! I dënuar për vjedhje të dhënash personale”, shkruan Balla.
Në vijim, ai i drejtohet drejtpërdrejt Shehajt: “Gone pas këtyre mashtruesve që Policia arrestoi sot, e ke radhën ti!”
Reagimi i Ballës vjen pas operacionit policor ku u arrestuan Edison Korra, 24 vjeç, dhe Orest Balla, 23 vjeç. Sipas të dhënave të bëra publike, ata dyshohet se kontaktuan Armand Dukën përmes një profili të rremë në “Signal”, duke u prezantuar si Taulant Balla dhe duke i kërkuar fillimisht 100 mijë euro në kriptomonedha. Pas denoncimit të Dukës, policia organizoi një dorëzim të kontrolluar dhe arrestoi të dyshuarit në flagrancë.

©️Shqip.com