Lajme

Pas videos virale ku u godit nga një qytetar/ Reagon shefi i Komisariatit të Krujës: Agresori ishte nën efektin e lëndëve narkotike, bënte manovra të rrezikshme

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale ka rikthyer vëmendjen te një incident rrugor ku është përfshirë shefi i Komisariatit të Krujës, Elton Shahini.

Pas publikimit të pamjeve, Shahini ka reaguar për JOQ Albania, duke dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe duke kërkuar ndjesë për fjalorin e përdorur gjatë përplasjes.

Sipas tij, incidenti ka ndodhur gjatë muajit korrik, jashtë orarit zyrtar të punës. Shahini pretendon se drejtuesi tjetër po kryente manovra të rrezikshme dhe se situata është përshkallëzuar më pas.
“Ngjarja ka ndodhur jashtë orarit tim zyrtar të punës në muajin korrik. Qytetari i përfshirë në incident ishte nën efektin e lëndëve narkotike dhe po kryente manovra të rrezikshme, duke më rrezikuar drejtpërdrejt jetën.”

Shahini pranon se gjatë momentit të tensionuar ka përdorur një fjalor të papërshtatshëm, për të cilin kërkon ndjesë.

Ai pretendon gjithashtu se gjatë incidentit është përballur me dhunë fizike dhe fyerje, por mohon të ketë përdorur detyrën apo autoritetin e tij zyrtar për të kërcënuar personin tjetër.

“Pavarësisht dhunës fizike dhe fyerjeve ndaj meje, në asnjë moment nuk kam përdorur autoritetin tim zyrtar, nuk kam kërcënuar me postin që mbaj dhe nuk jam përgjigjur me dhunë fizike”, është shprehur Shahini.

Pretendimet për përdorimin e lëndëve narkotike dhe dhunën fizike janë pjesë e versionit të dhënë nga Shahini dhe nuk konfirmohen nga informacioni i paraqitur.

/Shqip.com