Berisha njofton rikthimin e protestave, por sheshi është i zënë. A do t’i largojnë demokratët ‘flamingot’ që rrinë prej 4 muajsh para Kryeministrisë?
Pas një serie skandalesh të njëpasnjëshme që kanë tronditur qeverinë Rama, lideri i opozitës, Sali Berisha, duket se ka artikuluar më qartë se kurrë rikthimin e aksionit opozitar në rrugë. Në daljet e tij të fundit publike, Berisha ka paralajmëruar se opozita pritet të marrë një vendim për rinisjen e protestave, me synim largimin e Edi Ramës nga pushteti. Në këtë klimë politike, skandali i fundit që lidhet me SHISH dhe ish-drejtuesen e tij, Vlora Hyseni, ka shtuar edhe më shumë presionin mbi pushtetin, por edhe mbi opozitën pasi tek kjo e fundit janë të gjithë sytë kritikë duke e parë se si do të sillet përballë skandalit. Në rastin e dosjes “Balluku”, PD dhe opozita ishin në gjendje të ‘tredhur’, për arsye të cilat merren me mend. Por edhe në dosjen Vlora Hyseni-Ergys Agasi mendohet se sërish pjesë e saj janë edhe segmente të opozitës.
Sipas akuzave dhe materialeve të bëra publike nga organet e drejtësisë, Vlora Hyseni dyshohet se i ka ofruar mbështetje Ergys Agasit gjatë kohës që ai ndodhej në arrati. Çështja ka prekur një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend dhe ka sjellë reagime të forta politike. Për opozitën, ky zhvillim përbën një tjetër arsye për të kërkuar përshkallëzimin e aksionit politik.
Por pikërisht këtu nis edhe paradoksi.
Në sheshin përpara Kryeministrisë, prej rreth katër muajsh zhvillohet një protestë qytetare. Janë afërsisht 117 apo 118 ditë rezistencë, me kërkesa politike të drejtuara kundër qeverisë Rama. Megjithatë, deri më tani, rezultati konkret i kësaj proteste ka qenë zero.
Dhe pikërisht për këtë arsye, Berisha duket se kërkon që sheshi të lirohet. Por a do ta pranojnë këtë presion në dukje aktivistët, të ashtuquajturit ‘flamingo’? Këta kanë paralajmëruar se nuk do ta lejojnë kurrsesi që kryedemokrati t’iu marrë sheshin dhe foltoren pasi atë e akuzojnë si pjesë të së keqes dhe protagonist bashkë me Edi Ramën të situatës së nderë në të cilën ndodhet vendi.
Jo vetëm publikisht, por edhe në mbledhjet e mbyllura të strukturave të Partisë Demokratike, ai ka kërkuar që opozita të rikthehet në shesh dhe të marrë përsipër drejtimin e protestave. Në thelb, bëhet fjalë për rikthimin e opozitës në atë që ajo di të bëjë më së miri: aksionin politik dhe protestën në rrugë.
Por këtu qëndron problemi i madh i opozitës.
A mund të kthehet ajo në shesh si një forcë që pretendon të përfaqësojë zemërimin qytetar, kur në të njëjtin shesh qytetarët kanë protestuar prej muajsh pa arritur të prodhojnë një ndryshim politik?
Dhe mbi të gjitha, a mjafton rikthimi i PD-së në rrugë për të fituar simpatinë e një publiku që deri më tani nuk ka treguar se është bindur nga ky aksion opozitar?
Kjo është sfida reale që ka përpara Berisha. Sepse të dalësh në shesh është një gjë; të bindësh njerëzit të dalin pas teje është krejt tjetër.
Opozita mund ta rifillojë protestën. Mund ta mbushë sheshin me flamuj, pankarta dhe slogane. Por ajo që mbetet për t’u provuar është nëse këtë herë do të arrijë të prodhojë atë që protesta qytetare e këtyre muajve nuk ka arritur ta prodhojë, pra, presion politik të mjaftueshëm për të ndryshuar realitetin.
©Shqip.com