“Nuk do të ndalem”/ Bekir Halimi reagon pasi u shpall ‘non grata’: Më është bërë padrejtësi
Imami Bekir Halimi, i cili u shpall non grata nga Ministria e Brendshme, duke i ndaluar hyrjen në Shqipëri për 10 vjet, pas informacioneve të strukturave të Antiterrorit se veprimtaria e tyre përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare, e ka cilësur këtë veprim si padrejtësi.
Përmes një reagimi publik, ai falenderoi të gjithë ata që janë shqetësur për këtë vendim, ndërsa shton se ia ka kushtuar jetën ngritjes së vetëdijes fetare tek populli dhe kontributit patriotik për zhvillimin kombëtar.
Me tej, ai thotë se do të vazhdojë të kërkoj drejtësi dhe do të kontribuojë vazhdimisht për të ndërtuar shtete të drejta e funksionale ku çdo qytetar do ndihet i nderuar dhe i privilegjuar me të drejta të garantuar
“Sot gjithë ditën pasi doli lajmi i shpalljes non-grata të emrit tim, kisha telefonata të shumta nga shumë miq, dashamirë, intelektualë, gazetarë e biznesmenë të brengosur nga ky vendim.
Unë falënderoj të gjithë ata që më kanë thirrë e më kan shkruar e juu them Allahu ju shpërbleftë, ju mëshiroftë e ju gëzoftë. Është mërzi kur të bëhet padrejtësi sidomos atyre personave që ia kanë kushtuar jetën ngritjes së vetëdijes fetare tek populli ynë dhe kontributit patriotik për zhvillimin tonë kombëtar.
Kështu e ka jeta.
Ne do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e të luftojmë padrejtësitë e do të mundohemi të kontribuojmë vazhdimisht për të ndërtuar shtete të drejta e funksionale ku cdo qytetar do ndihet i nderuar dhe i privilegjuar me të drejta të garantuar dhe mirëqenie ekonomike, me një jetë të rehatshme ku dëshmojmë atdhedashuri e patriotizëm, duke i edukuar fëmijët me fe dhe nder që të vazhdojnë të kontribuojnë për ti bërë shtetet tona më të mira e më të përparuara. Të mos lejojmë ta braktisin këtë vend të rinjtë tanë. Ishalla sa më shpejt korrigjohet kjo padrejtësi e gabim”, tha Halimi.
/Shqip.com