Neranxi, Albania Smart Distribution dhe Alta Group akuzohen se importuan bajame me cianid, produkti toksik u shpërnda në 5 qytete
Një skandal i rëndë i sigurisë ushqimore ka shpërthyer në Shqipëri, ku mbi 1,158 kg bajame pluhur të ndotura me Acid Hidrocianik kanë përfunduar në stomakun e konsumatorëve shqiptarë përpara se institucionet të viheshin në lëvizje. Ky përbërës kimik, i njohur ndryshe si cianid hidrogjeni, është një një substancë toksike me veprim të shpejtë, i cili bllokon oksigjenin në qeliza dhe shkakton dëmtime serioze në organizëm. Simptomat e helmimit mund të përfshijnë dhimbje koke, marrje mendsh, të vjella dhe vështirësi në frymëmarrje.
Sipas të dhënave të siguruara nga AKU, kontingjenti prej 1,200 kilogramësh është importuar nga Spanja. Nga kjo sasi, vetëm 42 kilogramë është bllokuar dhe asgjësuar, ndërsa 1,158 kilogramë rezultojnë të kenë përfunduar te konsumatori fundor.
Subjektet importuese të produktit janë:
Neranxi SHPK – 800 kg
- Albania Smart Distribution – 300 kg
- Alta Group – 100 kg
AKU bën me dije se produkti i rrezikshem është shitur në treg përpara se të vinte njoftimi i bllokimit. Qytetet ku është tregtuar ky produkt jane Tiranë, Shkodër, Vlorë, Durrës dhe Fier.
Bajame pluhur, përdoret gjerësisht në industrinë e pastiçerisë për prodhimin e ëmbëlsirave, përfshirë tortat, biskotat dhe kremrat për mbushjen e kroasantëve, çka rrit numrin e mundshëm të konsumatorëve që mund të kenë rënë në kontakt me këtë produkt.
AKU bëri me dije se produkti nuk u analizua në kufi për acid hidrocianik, pasi ky parametër nuk ishte pjesë e planit zyrtar të analizave për këtë kategori.
Duke u nisur nga fakti se përgjegjësi për sigurinë e produkteve ushqimore që hidhen në treg kanë edhe importuesit, Tv Ora News i është drejtuar më kërkese për informacion subjekteve importuese.
Deri ne momentin e transmetimit të kësaj kronike kemi patur përgjigje nga Neranxi. Në reagimin zyrtar, subjekti Neranxi shmangu të konfirmojë nëse kishte kryer analiza laboratorike përpara tregtimit të bajameve, ndërkohë ia ka deleguar përgjegjësinë procedurave të kontrollit të AKU-së.
Kompania u shpreh se produkti ishte shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi mekanizmat e kontrollit ushqimor në kufi, si dhe mbi procedurat e ndjekura nga subjektet importuese për verifikimin e sigurisë së produktit përpara hedhjes së tij në treg.
Kur dështojnë filtrat e sigurisë, çmimin më të lartë e paguan konsumatori, duke u konsumuar ushqime që i rrezikojnë shëndetin.
/Shqip.com