Lajme

Nga Vis Martinaj, “Leksi i Druve” te ushtarët e ‘Bajrave’/ SPAK mbyll hetimet për 9 të pandehur, çështja dërgohet në GJKKO!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për një tjetër grup të pandehurish në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, duke dorëzuar aktet për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Mes të pandehurve janë Nuredin Dumani, i penduar i drejtësisë, Prekë Kodra, Ervis Martinaj, i shpallur i zhdukur që prej gushtit 2022, Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”, si dhe persona të tjerë të lidhur me grupin kriminal “Bajri”.

Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kanë ngritur akuza që lidhen me vrasjen e Gjin Boricit Ndoj në Vaun e Dejës, ngjarje e ndodhur në vitin 2020. Për të njëjtën çështje po gjykohen më herët edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Bajri (Brajoviq) dhe të pandehur të tjerë. Sipas SPAK, të pandehurit do të përballen me drejtësinë edhe për krijimin e kushteve për vrasjen e Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, të konsideruar kundërshtarë të grupit “Bajri”, si dhe për krijimin e kushteve për vrasjen e Kleant Musabelliut.

Ndaj tyre rëndojnë akuza të tilla si:

“Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit;
“Grup i strukturuar kriminal”;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”;
si dhe vepra të tjera penale.

Dosja pritet t’i nënshtrohet shortit elektronik në GJKKO për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë çështjen në seancën paraprake. Dosja “Metamorfoza”, e para e ndërtuar nga SPAK mbi komunikimet e platformës së koduar Sky ECC, është ndarë në disa fraksione. Për disa prej të pandehurve janë dhënë tashmë vendime të formës së prerë, ndërsa pjesa tjetër e çështjeve vijon të shqyrtohet në gjykatë.

Të pandehurit që janë dërguar për gjykim janë:

Ervis Martinaj
Denis Brajoviq
Klaodor Hakaj
Prekë Kodra
Aleks Ndreka (Leksi i Druve)
Nuredin Dumani
Eljon Hato
Arsad Bashli
Bardhyl Mavraj

/Shqip.com