Lajme

I riu vrau me thikë fqinjin, si Policia e Rrogozhinës arrestoi menjëherë autorin e krimit

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e 20 qershorit në Rrogozhinë, ku një konflikt mes dy fqinjëve ka përfunduar me vdekjen e një 60-vjeçari.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Mollaj” të qytetit, ku M.M rreth 25 vjeç dyshohet se ka vrarë me thikë fqinjin 60-vjeçar. Gjatë konfliktit, edhe 25-vjeçari është lënduar në dorë.

Si u kap autori?

Shërbimet e Policisë së Rrogozhinës, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shkuan në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar.

Burime nga Policia e Rrogozhinës thonë se pak momente pas ngjarjes, morën një informacion operativ se një person kishte dëmtuar pak dorën dhe miqtë e tij donin ta çonin për mjekim në spital. Por pas verifikimeve të menjëhershme, policia zbuloi se pikërisht i plagosuri ishte edhe autor i dyshuar i krimit, duke e arrestuar menjëherë.

“Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 25-vjeçarit, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti të çastit ku u përdorën mjete prerëse, plagosi një 60-vjeçar, i cili më pas humbi jetën.

Rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”, Rrogozhinë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta mes shtetasve M. M., rreth 25 vjeç, dhe Rr. M., rreth 60 vjeç, fqinjë me njëri-tjetrin, ku u përdorën mjete prerëse, shtetasi Rr. M. u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën, ndërsa shtetasi M. M. u dëmtua lehtë në dorë.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shkuan në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin M. M.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, njoftoi Policia e Rrogozhinës.

/Shqip.com