Detaje nga protesta e 17 e qytetarëve, ironizohet edhe komisionerja Marta Kos
Protesta qytetare kundër qeverisë dhe projekteve turistike në Zvërnec e Sazan ka hyrë sot në ditën e saj të 17-të, duke vijuar një nga mobilizimet më të gjata të historisë së Shqipërisë.
Qytetarët nisën si zakonisht grumbullimin në Sheshin Skënderbej, për të vijuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së Kryeministrisë, ku prej më shumë se dy javësh zhvillohen fjalime dhe tubime të përditshme.
Një nga karakteristikat më të veçanta të kësaj lëvizjeje ka qenë pjesëmarrja e vazhdueshme e familjeve dhe fëmijëve të vegjël, të cilët janë bërë pjesë e marshimeve dhe tubimeve të përnatshme.
Organizatorët njoftuan se duke nisur nga dita e mërkurë protesta do të zhvillohet në orën 19:00, duke ndryshuar orarin e deritanishëm të grumbullimit.
Nismëtari i protestës, Alben Kola, deklaroi se këtë mbrëmje nuk do të mbahen fjalime nga organizatorët apo figura publike, por vetëm nga të rinjtë.
Lëvizja ka vijuar çdo ditë prej më shumë se dy javësh, ndërsa organizatorët e kanë cilësuar atë si një protestë qytetare dhe jopartiake.
Në ditët e fundit, marshimet janë shoqëruar me debate të forta publike, veçanërisht pas bllokimit të autostradës Tiranë-Durrës dhe aksit drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Ndërkohë, debati mbi projektet në Sazan dhe Zvërnec ka kaluar edhe në nivel evropian.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi së fundmi se Komisioni Evropian ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se projekti do t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë mjedisor dhe se standardet evropiane do të respektohen, ndërsa kryeministri Edi Rama ka theksuar se Brukseli është informuar në detaje për të gjitha procedurat e ndjekura.
Pikërisht kjo deklaratë e komisioneres Kos është ironizuar nga protestuesit me pankarta.



/Shqip.com