Kaos në rrjetet sociale, bëhen thirrje për marshim drejt Rinasit edhe sot
Protesta e djeshme në Tiranë mori një kthesë të pazakontë, pasi turma e protestuesve u zhvendos nga qendra e kryeqytetit drejt autostradës Tiranë–Durrës dhe më pas në aksin që të çon drejt Rinasit. Marshimi, që zgjati rreth pesë orë, shkaktoi bllokime të gjata trafiku dhe tensione të lehta me forcat e policisë pranë rrugës së aeroportit. Lëvizja e papritur e protestuesve ka ngjallur reagime të ndryshme dhe ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit të itinerarit.
Në protesta të kësaj natyre, zgjedhja e drejtimit të marshimit konsiderohet thelbësore, pasi ndikon drejtpërdrejt në impaktin publik dhe politik të tubimit, por edhe në qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.
Organizatorët kanë hedhur dyshime për praninë e personave të infiltruar në turmë, të cilët, sipas tyre, mund të kenë orientuar protestuesit drejt Rinasit. Disa pjesëmarrës pretendojnë se u drejtuan nga persona të paidentifikuar, me qëllim lodhjen e tyre, shpërndarjen graduale të protestës si dhe më pas për të shfryrë revoltën
Sipas të dhënave, rreth orës 00:26 pas mesnate, protestuesit mbërritën te mbikalimi i Rinasit dhe më pas vijuan drejt zonës së aeroportit, ku qëndruan deri në orën 02:00 të mëngjesit. Ndërkohë, forcat e policisë vendosën kordon sigurie për të mos lejuar afrimin e protestuesve në aeroportin “Nënë Tereza”. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të mos bllokonin rrugën, duke e cilësuar një veprim të paligjshëm. Pas disa minutash rezistence, protestuesit u tërhoqën, ndërsa e gjithë ngjarja u mbyll pa incidente të rënda apo përplasje fizike mes policisë dhe qytetarëve.
Postimet kaotike në rrjet po çoroditin qytetarët, protestën po e kontrollon dikush
Në rrjetet sociale vazhdojnë të bëhen postime që shkaktojnë konfuzion tek qytetarët. Sot janë shpërndarë disa postime në Instagram ku njoftohet se marshimi do të vijojë sërish drejt autostradës Tiranë-Durrës dhe aeroportit të Rinasit.
Mirëpo, organizatorët e tubimeve i mohojnë këto njoftime dhe deklarojnë se itinerari zyrtar nuk parashikon ecje në këmbë jashtë Tiranës, por vetëm brenda Unazës së Madhe.
Mbetet për t’u parë se kush do ta komandojë protestën e sotme, por e sigurt është se dikush po e kontrollon turmën dhe po i keqpërdor me qëllim të qartë përçarjen dhe shpërndarjen e qytetarëve.
©Shqip.com