Lajme

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, mijëra protestues marshojnë nëpër rrugët e Tiranës

Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, mijëra protestues janë shpërndarë nga sheshi dhe po marshojnë drejt rrugëve kryesore të Tiranës, duke vijuar tubimin kundër projektit në Zvërnec.

Tubimi, që po zhvillohet për të tetën ditë radhazi, u shoqërua me thirrje për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit theksuan shqetësimet e tyre për emigrimin, pronat dhe investimet strategjike.

Në përfundim të fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, pjesëmarrësit nisën marshimin nëpër bulevard dhe rrugët përreth, duke mbajtur pankarta dhe duke vijuar me thirrjet e tyre politike.

Protestuesit paralajmërojnë se lëvizja do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.

Me thirrjet “Dorëheqje”, “Rama në burg, Berisha në burg”, pjesëmarrësit ngritën shqetësime që lidhen jo vetëm me projektin në Zvërnec, por edhe me emigrimin, pronat, drejtësinë, arsimin dhe shëndetësinë.

Gjatë tubimit u prezantuan edhe kërkesat kryesore të protestuesve, të cilat përfshijnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit të investitorit strategjik, anulimin e “Paketës së Maleve”, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjet për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Po ashtu, nga podiumi u bë thirrje për një mobilizim më të gjerë qytetar më 10 qershor, me synimin për krijimin e një lëvizjeje mbarëkombëtare.

/Shqip.com