Lajme

Protestat për Zvërnecin, Rama: Projekt 4 miliardë dollarësh, investimi më i madh për turizmin në Europë

Kryeministri Edi Rama, nga 35-vjetori i Partisë Socialiste në Elbasan, u ndal tek protestat që po mbahen në kryeqytet prej disa ditësh.

Rama mbrojti projektet e mëdha turistike dhe investimet e huaja, duke argumentuar se ato sjellin zhvillim ekonomik, vende pune dhe rritje të të ardhurave për komunitetet lokale.

Ai mori si shembull transformimin e Tivatit në Mal të Zi pas investimit në Porto Montenegro, ndërsa kritikoi kundërshtimet ndaj projekteve të ngjashme në Shqipëri, duke i cilësuar si pengesë për shfrytëzimin e mundësive zhvillimore të vendit.

Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të humbasë investime strategjike që mund të ndikojnë në rritjen e ekonomisë dhe turizmit.

“Mali i Zi nuk do të ishte ky që është sot nëse projekti që hapi rrugën e transformimit të Malit të Zi do të ishte bërë këtu. Nëse ai projekt do të ishte bërë këtu, ai sipërmarrësi i madh kanadez, që i mbyllën derën këtu e iku në Mal të Zi, sot nuk do të ishim këta që jemi, por do të kishim vendin e parë edhe për paga, pensione e të ardhura të tjera, vetëm falë asaj pjese industrie të turizmit, turizmit të luksit.

Ata që thonë që nuk na duhet turizmi i luksit se nuk kemi lekë të futemi në ato resorte, nuk e dinë që në fakt ato resorte e hotele janë motorë të ekonomisë së tyre, të vendit që i ka, të njerëzve që jetojnë në atë vend. Ato resorte e hotele nuk janë të shkëputura nga realiteti i vendit. Ata që vijnë aty kanë nevojë për vendin, shërbimet që ka vendi, ata janë arsyeja pse fermerët mund të prodhojnë më shumë e të shesin më mirë. Pse peshkatarët mund të shesin më mirë, pse dyqanet, taksitë, furgonët mund të kenë shumë më tepër punë dhe të ardhura. Ato resorte e hotele janë arsyeja pse shteti merr më shumë taksa.

Ai Porto Montenegro, ndërkohë që sipërmarrësi që e inicioi donte ta ndërtonte në Durrës, e vendosi në një zonë më të prapambetur të Malit të Zi, me të ardhura shumë të ulëta, rininë që ikte se s’kishte ç’të bënte atje. Sot Tivati pret 5 milionë turistë në vit për shkak të atij porti, hoteleve dhe asaj që sjell më pas. Sot shërbimet në Tivat i bëjnë njerëzit e atij vendi. Për të gjithë të rinjtë e të rejat e Malit të Zi ka një vend pune cilësor, ka një vend pune që nuk ka asnjë arsye për ta lënë e për të kërkuar jashtë vendit.

Ça jemi ne? Jemi budallenj që të tjerët i marrin mundësitë që ne i lëmë të rrëshqasin? Gjithë transformimin që kemi bërë, por është një vend që përmendet nga e gjithë bota, që përmendet si vend turistik, është një vend ku vitin e shkuar erdhën 12 milionë turistë, në një pozicion kaq strategjik. Fakti që Shqipëria është një vend tolerant, një vend ku askujt nuk i thua “plaç”, prandaj investitorët janë të interesuar.

Projekti të cilit po i bëhet rezistencë në mënyrën më absurde, është një investim prej 4 miliardë eurosh, më i madhi në Europë prej shumë e shumë vitesh dhe ne ta bëjmë si lopa, kur thotë populli, që e mbush kovën dhe pastaj i bie me shkelm, duke i treguar botës një pamje krejt të ndryshme nga ajo që jemi, ta bëjmë si lopa duke shpërndarë për të gjitha ato kanale të llumit të rrjeteve sociale lloj-lloj mesazhesh të gabuara? Shqipëria nuk është e shqiptarëve, sepse shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut!“, tha ai.

/Shqip.com