Lajme

Nis protesta kundër Qeverisë në Tiranë: Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve

Protestat qytetare që nisën kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa tubimet dhe marshimet janë shtrirë jo vetëm në disa qytete të Shqipërisë, por edhe në qendra të rëndësishme ku jeton diaspora shqiptare.

Pas protestës së zhvilluar gjatë paradites në Zvërnec, protestuesit janë mbledhur sërish pasdite rreth orës 18:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Ashtu si në ditët e mëparshme, ata kanë marshuar në drejtim të Kryeministrisë, ku kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe projektit që kundërshtohet prej tyre.

Gjatë marshimit, pjesëmarrësit brohorasin në kor slogane si: “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, ndërsa kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit kanë bërë të qartë se kjo revoltë i ka tejkaluar kufijtë e një kauze të vetme. “Nuk jemi këtu vetëm për Zvërnecin”, ka qenë motoja , duke nënvizuar se beteja është kundër një modeli të tërë qeverisës që po cenon interesat kombëtare dhe pronat e shqiptarëve.

/Shqip.com