Lajme

Sali Berisha ose e shkuara që nuk po i ndahet PD-së

Kanë kaluar 36 vite që kur Sali Berisha hyri në politikën aktive shqiptare dhe, në një mënyrë apo tjetër, ai vijon të mbetet figura që dominon Partinë Demokratike. Nga lëvizja studentore e dhjetorit ’90, presidenca, mandati i gjatë si kryeministër, rikthimi në opozitë dhe deri te beteja për rimarrjen e PD-së pas shpalljes “non grata” nga SHBA, historia politike e demokratëve duket se nuk arrin dot të shkëputet nga hija e Berishës.

Në vitet ’90, Berisha ishte simboli i tranzicionit dhe i ardhjes së pluralizmit. Në vitet 2000 ai u rikthye fuqishëm në pushtet, pas damkës së firmave piramidale dhe luftës civile që përfshiu vendin në 1997 dhe drejtoi vendin për tetë vite si kryeministër (2005-2013). Edhe pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013, kur formalisht dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, realiteti politik tregoi se partia nuk reshti asnjëherë së qeni nën ndikimin e tij. Lulzim Basha ishte kryetar de jure, por vendimmarrja, fryma dhe pesha politike vazhdonin të gravitonin rreth Berishës. Çdo vendim i Lulzim Bashës, nga marrëveshja e 17 majit e deri tek djegia a mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, ishin vendime të imponuara nga zyra e Sali Berishës, në katin e 13-të tek “COIN”.

Por ajo që do të nxirrte në skenë përfundimisht Sali Berishën, pas 9 viteve qëndrimi në hije, ishte kur SHBA e shpalli ish-kryeministrin “non grata” dhe Basha, duke e parë të dobësuar, vendosi ta përjashtonte nga grupi parlamentar. Por ajo që pasoi tregoi edhe njëherë se kush kishte realisht kontrollin mbi Partinë Demokratike. Berisha e rimori partinë me forcën e ndikimit personal dhe politik, ndërsa Basha u zhduk gradualisht nga struktura që vetë drejtonte, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë në krye të saj.

Sot, në vitin 2026, Sali Berisha mbetet po ai, lideri që nuk pranon të largohet dhe që kërkon të mbajë PD-në me çdo kusht nën kontrollin e tij. Zgjedhjet e 23 majit për drejtimin e partisë po e tregojnë qartë këtë qasje. Gara nuk ekziston. Kandidatët që tentuan të sfidonin status quo-në u përjashtuan njëri pas tjetrit. Ish-deputeti Ervin Salianji, anëtarja e FRPD-së Alesia Balliu, aktivistja Evi Kokalari dhe anëtarja e PD-së Mereme Sula mbetën jashtë garës, pavarësisht vullnetit të shprehur për të sfiduar Sali Berishën.

Rasti i Mereme Sulës ishte ndoshta më domethënësi. Fillimisht e kualifikuan si kandidate, por pas deklaratave ku ajo u distancua hapur nga “non grata” e Berishës, Flamur Noka ndërhyri duke e përjashtuar nga kandidimi. Një sinjal i qartë se në PD nuk mund të ekzistojë garë reale nëse ajo prek autoritetin e liderit historik.

Dhe këtu lind pyetja, a mund të quhen zgjedhje ato ku ekziston vetëm një kandidat real në garë? A mund të flitet për demokraci të brendshme kur çdo zë alternativ përjashtohet ose neutralizohet para se të arrijë te anëtarësia?

Problemi më i madh për PD-në nuk është vetëm fakti që Sali Berisha vijon të jetë në krye. Problemi është se partia nuk po arrin të prodhojë dot një të ardhme jashtë tij. Çdo tentativë për rinovim politik, për figura të reja apo për një identitet të shkëputur nga tranzicioni i viteve ’90, përfundon duke u përplasur me murin e vjetër të berishizmit.

Sali Berisha sot është e shkuara që kërkon me zor të mbetet e tashmja dhe e ardhmja e PD. Kjo mund t’i shërbejë vetë atij për të ruajtur kontrollin politik dhe simbolik mbi partinë që themeloi e nuk e largoi asnjëherë nga vetja, por për demokratët dhe opozitën në tërësi kostoja po bëhet gjithnjë e më e rëndë.

Sepse koha në politikë nuk ndalet. Dhe një parti që mbetet peng i së shkuarës, rrezikon të humbasë jo vetëm zgjedhjet siç i ka humbur sistematikisht prej 2013 e këtej, por edhe aftësinë për të bindur shqiptarët se përfaqëson realisht alternativën e së ardhmes që s’dihet se kur do të vijë.

Por po ashtu, pavarësisht vullnetit të tij për të mbetur në krye me çdo kusht, Sali Berisha është sot rreth 83 vjeç dhe biologjia është kundër tij. Si mund të konsiderohet e ardhmja e PD një lider që ka tejkaluar moshën mesatare të gjyshërve tanë? Sali Berisha mund të jetojë edhe përtej 100 viteve dhe urojmë e shpresojmë të ketë jetë sa të dojë ai, por nuk mund të jetë në gjendjen optimale fizike, emocionale e psikologjike për të drejtuar partinë. Nuk po i hyjmë aspak problemeve me drejtësinë, ku zoti Berisha dhe familjarët e tij kanë në SPAK plot 3 dosje dhe është i pandehur e në proces gjyqësor për aferën e kompleksit Partizani, së bashku me dhëndrin Jamarbër Malltezi.

Megjithatë, mosha e Berishës është problem edhe për një fakt tjetër, sidomos kur përballë tij ndodhet një rival politik si Edi Rama, rreth 22 vite më i ri në moshë, çka e bën edhe më të dukshëm kontrastin mes një opozite që vijon të mbahet pas figurave të tranzicionit dhe një realiteti politik që kërkon domosdoshmërisht rinovim.

Sa më shpejt të ndahet PD nga e shkuara dhe bashkë me të edhe nga Sali Berisha, aq më e lehtë do të jetë ringritja dhe rikthimi i saj si alternativë përballë PS dhe mazhorancës së konsumuar ekstremisht nga pushteti i tejzgjatur.

@Shqip.com