Lajme

40 kompani në samitin Shqipëri-Izrael, Rama: Për hebrenjtë, Shqipëria mbetet shtëpi

Kryeministri Edi Rama tha se në Shqipëri nuk ka antisemitizëm dhe se Shqipëria do të mbetet shtëpi për hebrenjtë. Në fjalën e tij në samitin Shqipëri-Izrael që zhvillohet në Tiranë, Rama falënderoi Izraelin për ndihmën që i dha Shqipërisë në mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike të Iranit dhe vlerësoi rritjen e turistëve izraelitë në vendin tonë.

“Shijoni ushqimin tonë, shijojeni mikpritjen tonë. Mos harroni kurrë që për hebrenjtë, Shqipëria është shtëpi dhe dëshiron të mbetet e tillë”, tha Rama.

“Dhe çfarëdo mund të mendojnë shqiptarët për tema të ndryshme, për politikën, për qeverinë tuaj, ka një gjë që është absolutisht e sigurt, ambasadori mund t’ua garantojë, që nuk ka antisemitizëm në Shqipëri dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur”, shtoi ai.

Samiti Shqipëri-Izrael bën bashkë 40 kompani inovative izraelite për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e Shqipërisë dhe rajonit përmes teknologjisë së fjalës së fundit.

Në fjalën e mbajtur kryeministri Edi Rama theksoi se dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Izraelin, dhe u shpreh se Shqipëria ka sot një nivel të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike, falë bashkëpunimit me këtë vend.

“Keni sjellë vullnetin tuaj dhe dijen tuaj për të na ndihmuar të ecim përpara në një rrugë që e kemi çelur, duke i besuar dixhitalizimit të infrastrukturës sonë, dhe duke i besuar bekimit që është teknologjia e re, për vende si tonat. Vende që përmes teknologjisë mund të bëjnë një kërcim përpara, dhe që vendet më të mëdha me mënyrat e vjetra i kanë të vështirë t’i bëjnë. Ne besojmë te kjo marrëdhënie, jo vetëm për shkak të historisë, që është lidhje e krijuar në kohët më të errëta për popullin hebre”, tha kryeministri.

“Regjimi iranian na sulmoi, sulmoi atë që kishim ndërtuar pareshtur me vite të tëra, për të transformuar shërbimet publike, nga një sistem tërësisht korruptiv, i zymtë, në një sistem tërësisht të shpejtë dhe transparent, pa tarifa. Synuan ta shkatërronin këtë për të na çuar mbrapsht, në kohën e errët të shërbimeve publike në nivelin më të ulët. Qemë shumë të kënaqur që Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë. I mbijetuam këtij sulmi, mësuam sidoqoftë se na duhet të investojmë dhe të ndërtojmë një sistem mbrojtje. Sot mund të them me krenari që kemi një nivel krejt të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike, falë bashkëpunimit me Izraelin dhe talentet izraelite”, u shpreh Rama.

/Shqip.com