Lajme

Sulmi terrorist në Banjskë, dalin sot para gjykatës 3 prej serbëve të akuzuar për rastin

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca e radhës për rastin “Banjska”, që lidhet me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Lajmin e bëri të ditur avokati Arianit Koci, i cili përfaqëson familjen e rreshterit Bunjaku.

“Këtë javë zhvillohet një nga gjykimet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës: procesi ndaj personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjska, ku heroikisht humbi jetën polici Afrim Bunjaku duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës,” shkroi Koci.

Në seancën e fundit, tre të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, u paraqitën para trupit gjykues dhe deklaruan pafajësinë për akuzat, përfshirë terrorizmin.

Ata janë pjesë e një grupi prej 45 personash të akuzuar për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, që dyshohet të jetë organizuar dhe drejtuar nga Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ndaj 42 të tjerëve, përfshirë Radoiçiqin, po zhvillohen procedura në mungesë, pasi janë në arrati. Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL dhe autoritetet kosovare vazhdojnë kërkesat për ekstradimin e tyre nga Serbia.

Aktakuza ndaj grupit u ngrit më 11 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe përfshin akuza për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe krime të tjera të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit.

/Shqip.com