Përplasja e titanëve: Çfarë ndodh kur Presidenti i SHBA zihet me njeriun më të pasur në botë?

Momenti më në fund erdhi, dhe ishte pikërisht ashtu siç shumëkush kishte pritur: i ulët, hakmarrës, personal, i vogël, teatrale, fëminor, me pasoja, i çrregullt dhe publik.
“Një gjë është e sigurt,” postoi Elon Musk në X në mes të sulmit të tij të pamëshirshëm që zgjati me orë ndaj Donald Trump, “nuk është aspak e mërzitshme!”
Përplasja e titanëve ka nisur dhe dorezat janë hequr.
Shpejtësia e përplasjes ishte marramendëse. Deri rreth 14 sekonda më parë, z. Musk po udhëtonte me avionët e z. Trump, qëndronte në shtëpitë e tij, shoqërohej me fëmijët e tij. Të premten, z. Trump e nderoi me një fjalim lamtumire nga Zyra Ovale dhe i dhuroi një çelës gjigand simbolik të Shtëpisë së Bardhë.
Por jo çdo gjë ishte në rregull. Z. Musk kishte kohë që ziente nga mllefi për ligjin gjithëpërfshirës të politikës së brendshme që Shtëpia e Bardhë po e çonte përpara përmes Kongresit. Të enjten pasdite, ai filloi të hidhte publikisht helmin e tij. “Pa mua, Trump do ta kishte humbur zgjedhjet,” shkroi Musk në X. “Çfarë mosmirënjohjeje.”
Sa therëse është dhembja e pabesisë!
Zakonisht, kur z. Trump ka pasur një përplasje të madhe dhe të çrregullt në publik, kjo ka qenë me dikë që ka nevojë për të — një qenie më e vogël që jeton me frikën e një sfide brenda partisë ose e shkatërrimit publik. Por tani ai po përplaset me një njeri të rrallë që kishte ndikim mbi të — ndikim politik, financiar dhe ndoshta edhe emocional. Kur z. Trump tha të enjten se ishte “shumë i zhgënjyer nga Elon”, tingëlloi sikur e kishte me gjithë mend.
Por z. Trump, duke qenë president i Shteteve të Bashkuara, ka disa leva në dorë.
Ai sugjeroi në Truth Social se “mënyra më e lehtë për të kursyer para në Buxhetin tonë” do të ishte të anuloheshin subvencionet dhe kontratat qeveritare të z. Musk. “Gjithmonë më ka çuditur pse Biden nuk e bëri këtë!” shtoi z. Trump, duke e ndezur edhe më tej reagimin e z. Musk.
Pati një element absurd në këtë përplasje: për shkak se z. Trump dhe z. Musk janë secili zot i platformës së vet sociale, asnjëri nuk po i përgjigjej drejtpërdrejt tjetrit. Çdokush që po i ndiqte në shtëpi (domethënë, të gjithë) duhej të kalonte sa nga njëra platformë në tjetrën për të ndjekur këta kaubojsa të tastierës që qëllonin me statuse kundër njëri-tjetrit.
“THE GIRLS ARE FIGHTING” — “VAJZAT PO ZIHEN” ishte trendi i ditës në platformën e Musk të enjten. Përplasja kishte një atmosferë oborri shkolle, ku shumëkush vraponte të përfshihej. “E NXEHTË,” postoi Laura Loomer. “Hej @realDonaldTrump më thuaj nëse të duhet ndonjë këshillë për ndarje,” shkroi Ashley St. Clair, nëna e njërit prej fëmijëve të Musk. Musk nisi të shtypte butonin “unfollow” për llogari që i përkisnin aleatëve të afërt të Trump, si Charlie Kirk dhe Stephen Miller.
Katër orë pas fillimit të duelit, në skenë u shfaq një paqebërës në formën e Kanye West. “O vëllezër jo ju lutem,” postoi në X me një emoji të dy personave që përqafohen. “Ju duam të dyve shumë.”
Por ata dukeshin shumë larg pikës së pajtimit. Vija e kuqe ishte kaluar — dhe s’kishte më kthim mbrapa. “Koha për ta hedhur bombën e madhe,” shkroi Musk pak pas orës 15:00, “@realDonaldTrump është në dosjet e Epstein. Kjo është arsyeja e vërtetë pse nuk janë bërë publike. Ditë të mbarë, DJT!” Nënkuptimi se z. Trump është në ndonjë mënyrë i lidhur me krimet e Epstein ishte veçanërisht shpërthyes, duke qenë se pjesë të mëdha të elektoratit së Trump mbeten shumë të ndjeshëm ndaj detajeve të ndyra të këtij rasti.
“Për reflektim,” shkroi Musk në një tjetër postim therës. “Trump ka 3.5 vite të mbetura si President, por unë do jem këtu për 40+ vjet.”
Pyetje të shumta qëndrojnë pezull mbi këtë arenë sherri: Sa larg mund të shkojë Trump, i cili dihet që nuk ka skrupuj për të përdorur pushtetin e shtetit si armë, kundër Musk? A do të pësojnë Tesla dhe SpaceX një goditje e stilit DOGE?
Çfarë do të ndodhte me atë Tesla të kuqe që Musk e kishte parkuar në Shtëpinë e Bardhë, atë që ndihmësit e rinj të Trump e donin të postonin foto me të?
Dhe a do të detyrohet Musk të kthejë çelësin e tij të Shtëpisë së Bardhë?/ New York Times
/Shqip.com