Kosovë/ Dështon tentativa e 10-të për konstituimin e Kuvendit. Seanca e radhës mbahet të hënën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës.
Seanca konstituive do të vazhdojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.
Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Pas seancës, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë. Sipas tij, partia fituese e zgjedhjeve po tenton që të “mbajë pushtetin me çdo kusht”, duke e akuzuar sërish se ka një mentalitet “të diktatit”.
“[Kreu i LVV-së, Albin] Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja kryesore që po e mban peng shtetin, po e mban peng Kuvendin”, tha ai, duke përsëritur thirrjen që LVV-ja të ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare pasi tha se Albulena Haxhiu as në herën “e 100-të nuk do të kalojë”.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në seancën paraprake se ndryshimi i mënyrës së votimit, kur veçse Kuvendi ka qenë në proces të votimit për kryeparlamentarin është jokushtetuese.
“Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiu. Kryetari i Parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë derisa ata nuk reflektojnë”, tha ai.
Edhe Time Kadrijaj tha se ndryshimi i mënyrës së votimit është joligjor, teksa tha se kjo është një taktikë e LVV-së “që Haxhiu të mos dështojë sërish që të zgjidhet kryeparlamentare”.
Ajo sërish kërkoi që partia fituese e zgjedhjeve të ndryshojë propozimin për kryeparlamentar.
/Shqip.com