Kliton Nesturi / Buzë Shkodre
BUZË SHKODRE
Buzë Shkodre,
Mbi urën e liqenit kalon një vajzë me biçikletë.
Ajo rend tej qytetit
Duke u arratis prej dashnisë së vrame,
Jetës s’ prishun e tinëzare,
Fatit t’ pabesë,
Andrrave t’ bukra që vetëm t’ tilla mbetën.
Ajo rend, pedalon shpejt,
e çan vrull si era,
duke ndjek diellin që bie n’perëndim
me iu fal dëshirës, ekstazës,…
Si dashnor i marrosun
Ajri
ethshëm i prek trupin e flokët ia shpupurit…
Pas urës, ajo nis e humbet.
Buzë Shkodre kam mbet.
Qëndroj aty pa lëvizur e heshtur
si një shkëmb
dhe shoh fatet e ndryshme
që kalojnë e ndeshen aty.
Ah, Shkodër – qytet i bukur me fate të trishta njerëzish!
Dashnia e dikurshme asht tretun
bashkë me ata që janë plakun, kanë humb
a nuk janë më.
Trishtimi e dëshprimi kanë mbyt qytetin
Ku kalaja e vjetër e Rozafës bën roje.
Buzë Shkodre
Mbi urën e liqenit një vajzë kalon me biçikletë.
Ajo po kthehet prej arratisjes
për të hyrë në zemër të qytetit,
prej të cilit gjithmonë dëshiron t’përtretet.
(Botuar në vellimin “I lindur bohem”, 2023)
/Shqip.com