Kurti e pret në takim policin që e kishte arrestuar 16 vite më parë

Kryeministri Albin Kurti të dielën priti në takim në zyrën e tij stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës.
Në mesin e tyre ishte edhe Komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti, me të cilin kryeministri tha se u ritakua pas 16 vitesh.
Në atë kohë, Kurti ishte arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje, teksa ka publikuar një fotografi ku shihet duke u arrestuar pikërisht nga Ahmeti.
“Në zyrën time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve”.
“Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje. Nuk ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë”, ka shkruar shefi i qeverisë në llogarinë e tij në Instagram.
Për takimin e Kurtit me përfaqësues të PK-së kanë njoftuar edhe nga Zyra e Kryeministrit.
Sipas njoftimit të kësaj të fundit, Kurti u ka shprehur mirënjohje të gjithë punonjësve të policisë, duke thënë se “për 13 ditë me radhë treguan sjellje profesionale, përkushtim të pashoq për mbrojtjen e vendkalimeve dhe policëve kufitarë që po zbatojnë reciprocitetin e targave të automjeteve”./SHQIP.com